zoom

Politikë

Berisha: Protesta para parlamentit në çdo kohë, nuk na përjashtojnë dot nga zgjedhjet

Në vijim të fjalës së tij në takim,in me krerët e degëve të PD-së në kryeqytet, Berisha ka bërë të ditur se protesta do të organizohen edhe para parlamentit.

Duke marrë shkas nga vendimi i kreut të qeverisë për tiu shmangur debatit për McGonigal, kryedemokrati tha se nuk do ja lënë tempullin e demokracisë Ramës.

Ai gjithashtu foli edhe për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, duke bërë të qartë se opozitën nuk mund ta pengojë askush që të jetë alternativë e shqiptarëve.

 

Berisha:

 

Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti shqiptar është më i shëmtuar sot se kurrë, më i cunguar se kurrë. Është një parlament ku shkelet kushtetuta çdo ditë. Është një parlament ku vendoset në mënyrë banditeske nën urdhrat e Ramës çdo ditë. Është një parlament ku dhunohen çdo ditë të drejtat e të zgjedhurve nga qytetarët shqiptarë.

Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë. Por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet në parlament. Natyrisht demokrate e demokratë, duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para parlamentit.

Nuk u dorëzohet tempulli i demokracisë kriminelëve të llojit, Taulant Balla, Edi Rama, etj. Jo ai është i qytetarëve. Nuk mund të pranojnë të zgjedhurit e popullit të shtypen të drejtat e tyre, sepse po pranuan këtë ata pranojnë shtypjen e të gjithë qytetarëve. Ju siç e shihni, ata sillen si një bandë.

Ata bllokojnë, nuk sjellin në parlament në tërësi ligjet tona. Ata bllokojnë komisionet tona hetimore, çka nuk ndodh në asnjë parlament të botës. Deputetët tanë, ne jemi të vendosur, bllokimit të tyre ti përgjigjemi me një qëndresë dhe të pamposhtur në parlament. Degët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se protestat para parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë. Se parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës, jashtë rregullave, jashtë kushtetutës.

Ju duhet ta dini dhe shqiptarët duhet ta dinë se prej 5 muajsh ne kemi dorëzuar një rezolutë për të dënuar krimet e serbëve në Kosovë. Gjëja më normale. Prej 5 muajsh Linda e Edi Ramës në parlament refuzon të sjellë rezolutën, me urdhër të Edi Ramës. Në një aspekt ai është parlamenti Linda-Rama dhe asgjë tjetër nuk mund ti thuash. Është i turpshëm, por prap ashtu siç është ne nuk e lëshojmë, jo ne do të luftojmë aty dhe qytetarët do të jenë të gatshëm për të protestuar siç duhet para parlamentit.

Parlamenti është i qytetarëve. Deputetët janë përfaqësues të qytetarëve. As të Edi Ramës dhe Lindës që nuk ka as parim, as princip, por zbaton verbërisht urdhrat e tij.

Ka një përpjekje tjetër siç e dini nga Edi Rama direkt, për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet. Kësaj përpjekje do ti përgjigjemi me revoltë të përgjithshme. Secili prej jush dhe çdo anëtar i PD duhet ta ketë të qartë si kristali, se gjykatat e këtij vendi, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën ka vendosur legjimitetin e kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Dhe në çdo vend të botës, ky vendim ka vetëm një vlerë, për regjistrimin në regjistrin e partive politike dhe shoqatave.

Ky vendim në çdo vend të lirë shërben vetëm për kaq. Edi Rama urdhëron të mos regjistrohet nga kancelari vendimi i gjykatës dhe në kundërshtim flagrant me çdo parim, shpall palë Alibashën, pa qenë palë. Çfarë jemi këtu, në këtë situatë, jemi në një përpjekje primitive hakmarrëse për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet. PD do të futet në zgjedhje dhe do të futet vetëm me vulën, logon dhe flamurin e saj. Absolutisht kurrë nuk do të pranojmë të na lejë njeri, të na përjashtojë nga zgjedhjet. Ndaj dhe do të organizojmë revoltën paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Do të përdorim të gjitha mjetet e mosbindjes civile, dhe zgjedhjet do ti fitojë PD-ja.