zoom

Politikë

Berisha paralajmëron: Dokumenta, video e dëshmi që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve

Ish-kryeministri Sali Berisha në deklaratën e përjavshme për mediat nga selia blu siguroi demokratët se dosja me prova po bëhet gati për të faktuar sipas tij se Edi Rama i manipuloi zgjedhjet.

Po punojmë me intensitet për provat. Shqyrtimi i thelluar i këtij mega-krimi kërkon kohën e duhur dhe qytetarët do ta marrin vesh në çdo hollësi dhe detaj. Është një material shumë, shumë voluminoz, që duhet të trajtohet me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe” tha ai.

“Dokumentet, dëshmitë, fotografive, filmimet, faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme ndërhyrjet brutale, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës në kontrollin e votës së zgjedhësve shqiptarë. Dokumentet faktojnë se në Shkodër u bashkuan bandat me armiqësinë më të egër ndaj njëra-tjetrës, të urdhëruara nga kryekumbara Edi Rama.

Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë e shumë zona të vendit. Por bandat ishin një shkrirje me bandat e qeverisë. Inxhinierë, drejtorë, punonjës, kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve me kërcënimin: votën ose jetën!

Delinkuentë të dënuar rëndë në vendet përreth si përdhunues kanë shoqëruar deputetë të PS dhe janë vendosur numërues, në Devoll për shembull. Një komision i ngritur po punon me intensitet dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata, drejtues, anëtarë, simpatizantë, vëzhgues, komisionerë, kandidatë, që po kontribuojnë në denoncimin e krimit monstruoz elektoral, të farsës 14 maj 2023” tha ai.