zoom

Politikë

Berisha në Vlorë: Rama qeveris për të vjedhur, 450 mln euro për inceneratorë joekzistentë

Ish-kryeministri i vendit,  Sali Berisha ka përsëritur akuzat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ai ka shpenzuar 420 milionë euro për impiante që nuk ekzistojnë.

Nga qyteti i Vlorës, ku po bën prezantimin e kandidatit për zgjedhjet e 14 majit, Berisha tha se kryeministri është i pari që drejton qeverinë për vjedhjen e qytetarëve.

Duke u ndalur tek projekti i Portit të Durrësit, Berisha deklaroi se Rama gjeti një miliarder arab për të grabitur 820 mijë metër katror truall për t’u pasuruar vetë.

Fjala e Berishës:

Problemi është se sot kemi një varfëri në shtim. Kemi një varfëri që frikëson, rritet. Nuk shohim asnjë perspektivë se si do të kemi një jetë më të mirë. Duke ardhur këtu lexoja, në muajin shkurt, çmimi i ushqimeve krahasuar me një vit më parë ishte 12% më i lartë. Secili prej jush shpenzon më shumë për kafshatën e gojës. Në 8 vite kjo është 40%. Ky njeri që është në pushtet, ngriu rrogat. Nuk rriti rrogat dhe pensionet. Kjo shndërrohet në rënkime, në lot mjerimi dhe në bindjen se ky vend nuk bëhet. Ndaj shqiptarët ikin.

Këto nuk janë të vërteta sepse në rast se Edi Rama dhe qeveria do të kishin zemër dhe dëshirë që të shihte shqiptarët të mëkëmbeshin, të jetonin më mirë, mund të kishte rritur rrogat të paktën 3 herë në 8 vite. Në 8 vite përpara këtyre, ne dyfishuam rrogat dhe pensionet, ndërtuam 11 mijë km rrugë. Morëm borxh gjithsej 4.4% të prodhimit të brendshëm. Ky borxhin e rriti me 43%. Është 107% sot. Ky pot ë donte, me këtë borxh mund të rriste pa asnjë vështirësi 3 herë rrogat. Vetëm me borxhin që mori në 2021 në shtator, 700 mln euro, rrogat e shqiptarëve mund të ishin rritur 70%.

Ky vendosi një mekanizëm vjedhje që e kryeson vetë. Ka një ligj që thotë, po vodhi Presidenti, të gjithë vjedhin. Po vodhi kryeministri, të gjithë vjedhin. Kryeministri prin me vjedhje. Kryeministri firmos duke shkelmuar ligjin për ndërmarrjen e tij, 420 milionë euro për djegësat e Shqipërisë. Asnjë djegës nuk ekziston sot as në Fier, Elbasan apo Tiranë. Kryeministri merr Portin e Durrësit, gjen një arab miliarder dhe thotë me vete pse të mos bëhet miliarder. Merr me arabin, 820 mijë metër katrorë truall. I gjithë sekti i Rilindjes vjedhin qytetarët. Ky udhëton me avion dhe ka shpenzuar 22 milionë euro. Avioni i tij me dhomë gjumi luksoze. Sepse zotëria e tij lodhet shumë në një kohë kur nga 47 mbledhje qeverie ka qenë vetëm në 19.