zoom

Politikë

Berisha: Largimi i Ramës, domosdoshmërim. Kreu akt armiqësor ndaj vendit dhe opozitës

Sali Berisha zhvilloi sot një takim me kryetarët e degëve të PD të vendit, me të cilit foli për situatën politike në vend dhe skandalin “McGonigal”.

Kreu i Partisë Demokratike theksoi se opozita do të ngrihet e gjitha në këmbë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Berisha:

Mblidhemi sot në një moment shumë të veçantë, në një moment kur para të gjithë shqiptarëve është bërë përfundimisht e qartë, se Edi Rama të cilin ne me të drejtë, me fakte dhe argumente e kemi shpallur prej kohësh një armik të lirisë, armik të votës, armik të qenies sonë, faktohet se nga viti 2017 e deri më sot, ky demon pushteti, njeri pa asnjë princip, pa asnjë vlerë morale, pa asnjë normë, standard, ka punuar fshehtas dhe haptas, për shkatërrimin e PD-së, në Shqipëri.

Ka mobilizuar fonde, ka blerë dhe korruptuar për faqen e zezë të tij dhe atyre, individë ndër më të fuqishmit mbi tokë, në fushën e sigurisë, siç është rasti i shefit të kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal.

Ky akt i turpshëm, ky akt armiqësor ndaj vendit të madh të lirisë, vendit që udhëheq NATO-n dhe është përgjegjës për sigurinë e botës së lirë, del jashtë çdo lloj imagjinimi, që të bëhet nga një fuqi tjetër, përveç se armiqve të SHBA dhe NATO-s.

E vërteta është se, midis rekrutimit me korrupsion që Edi Rama i ka McGonigal, përdorimit të tij kundër opozitës, vendosjes së monizmit në Shqipëri, investimeve të mëdha të Deripaskës në Tiranë, ka një lidhje të pazgjidhshme. Por, ajo çka ne si forcë politike properëndimore na bie si detyrë, largimi i menjëhershëm nga pushteti i këtij njeriu që na abuzimin e tij, në thikën pas shpine që ju futi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më të keqen që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga Enver Hoxha, deri më sot, është një barrë e rëndë për çdo shqiptare, qenia e tij në pushtet. Është një barrë e rëndë morale dhe jo vetëm morale.

Largimi i tij është i domosdoshëm për të distancuar çdo shqiptar, veten nga ky individ, që nuk ngurron të kryejë akte më armiqësore ndaj sigurisë së një vendi të madh, vendit që ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për lirinë e shqiptarëve, por nuk ngurron në një hakmarrje të verbër, në kundërshtim me ligjet, kushtetutën të përdorë atë kundër PD-së.

Prova e demokratëve është provë e madhe. Është mision përmbushja e të cilit është shpëtimi i Shqipërisë. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është barrë, është turp për çdo shqiptar të ndershëm, çdo atdhetar, për çdo shqiptar të vokacionit perëndimor në Shqipëri.

PD-ja që është forcë e vokacionit perëndimor është dhe do të ngrihet në këmbë e tëra gjer në largimin e tij nga pushteti. Ne në takime të tjera, kemi diskutuar së bashku dhe kemi përcaktuar si mision, largimin e Edi Ramës, për rikthimin e votës së shqiptarëve, dhe ky është zhvillimi më madhor, por me zhvillimet e reja, largimi i Edi Ramës bëhet dy herë më imperativ për shkak të veprimeve të tij antishqiptare, të veprimeve të tij, të cilat mund ti bënte vetëm Llukashenko i Bjellorusisë, një alet i Putinit, por kurrë kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s.