zoom

Politikë

Berisha i përgjigjet zërave që kërkuan përjashtimin e tij nga PD

Ish-kryeministri Sali Berisha i përgjigjet zërave brenda PD-së që kërkuan përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.

Pasi konfirmoi se do të jetë në parlament në seancën e parë plenare, Berisha komentoi edhe qëndrimin e PD-së lidhur me çështjen e tij.

“PD ka kërkuar prova dhe fakte! Do të ishte e pafalshme nëse PD nuk do e kishte përjashtuar Berishën nëse do të kishte prova dhe fakte”, tha Berisha.

Në “Euronews Albania”, Berisha tha se ata që kanë kërkuar largimin e tij “kanë të drejtë të thonë çfarë të duan”, por shtoi se “ata s’njohin abc-në e grupeve parlamentare”.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

Berisha: Unë mendoj se PD ka mbajtur qëndrimin që duhet të mbajë. Ka kërkuar prova, fakte, dokumenta. Ka kërkuar transparencë. Që PD të konsolidojë një qëndrim ndaj një personi apo ndaj Sali Berishës, PD duhet të ketë fakte, dokumenta dhe prova. Jashtë tyre PD, qëllim tjetër nuk mund të mbajë. Nëse do të gjendjej para fakteve, provave për çfarë është akuzuar Berisha, do të bënte një gabim të mos më përjashtonte.

Ka një sërë eksponentësh të PD që kanë kërkuar të distancohet PD

Berisha: Secili është i lirë të flasë çfarë të dojë. Ajo që dua të them është se Sali Berisha është në këtë Kuvend dhe ka qenë nga ’91 deputet i PD-së. Ata të cilët nuk njohin “abc” në e grupeve parlamentare, janë të lirë të thonë çfarë të duan.

Raportet e mija me Bashën dhe PD, ndërtohen mbi bazën e qëndrimit ndaj disa parimeve. Ideja se PD është parti e Sali Berishës e do një zbërthim. Ata që mendojnë se unë me akte konkrete, qëllime e propozime kam drejtuar PD-në, ata mashtrojnë veten e tyre.