zoom

Bota

BE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë, ndalohen diamantet ruse

Bashkimi Evropian tha të hënën se ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës, duke goditur industrinë fitimprurëse të diamanteve, më shumë se 140 zyrtarë dhe organizata dhe ka përmirësuar disa rregulla, që Moska i ka përdorur për të anashkaluar sanksionet e mëparshme.

Ky është raundi i 12-të i sanksioneve, që Bashkimi Evopian ka vendosur ndaj Rusisë, që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij të sulmonte Ukrainë pothuajse dy vjet më parë. Sanksionet kanë në shënjestër sektorin e energjisë, bankat, kompanitë, tregjet dhe ngrirjen e pasurive të mbi 1000 zyrtarëve rusë, përfshirë ndalimin e udhëtimit vendet e BE-së.

Brukseli tha se sanksionet e fundit do t’i jepnin një goditje të mëtejshme aftësisë së Putinit për të vazhduar luftën, duke goditur sektorë me vlerë të lartë të ekonomisë ruse dhe duke e bërë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve të BE-së.

Importi, blerja ose transferimi i diamanteve natyral, sintetik dhe bizhuterive me diamante do të ndalohet duke filluar nga 1 janari. Ndalimi zbatohet për diamantet me origjinë nga Rusia, të eksportuara nga Rusia dhe që kalojnë tranzit përmes Rusisë, si dhe për diamantet ruse të përpunuara diku tjetër.

BE-ja vlerëson se sektori i diamanteve ka një vlerë vjetore prej rreth 4.5 miliardë dollarësh për Moskën.

Raundi i ri i sanksioneve i detyron gjithashtu kompanitë e BE-së të ndalojnë në kontratat e tyre eksportin e mallrave të caktuara në mënyrë që blerësit të mos mund t’i shesin ato në Rusi, veçanërisht “mallra dhe teknologji sekrete” që mund të përdoren nga forcat e armatosura ruse në Ukrainë.

Kimikatet shtesë, bateritë e litiumit, termostatet, disa motorë elektrikë që mund të përdoren për prodhimin e dronëve dhe disa vegla makinerish dhe pjesë këmbimi janë vendosur në listën e BE-së të artikujve të kufizuar ose të ndaluar për eksport në Rusi.

Importet në BE të disa mallrave që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme për Rusinë gjithashtu u kufizuan, duke përfshirë telat e bakrit dhe aluminit, fletë metalike, tubacione dhe gazin e lëngshëm.

Bashkimi Evropian shtoi gjithashtu 29 “entitete” të tjera, organizata, agjenci, kompani ose banka, që dyshohet se po mbështesin kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

27 vendet e BE-së tani do të konsiderojnë vendosjen e sanksioneve kundër njerëzve që përfitojnë nga sekuestrimi i pasurive evropiane ose pjesëve të kompanive në Rusi. Shtetet anëtare do të vihen gjithashtu nën kontroll më të rreptë për të siguruar që po gjurmojnë në mënyrë aktive pasuritë e njerëzve, që janë në shënjestër të sanksioneve./ Zëri i Amerikës