zoom

Politikë

BE e ashpër me Shqipërinë: Shqetësim pasaportat e arta

Bashkimi Europian është kundër skemës së qeverisë shqiptare për të dhënë pasaportat e arta për investitorë të huaj nëpërmjet dispozitave lehtësuese ligjore të shtetësisë.

Kjo është e shprehur qartë në raportin e Komisionit Europian ‘screening’ për Shqipërinë, duke e cilësuar si një shqetësim, pasi skema paraqet rreziqe.

“Është shqetësuese që Shqipëria, krahas programeve të saj për marrjen e nënshtetësisë shqiptare mbi bazën e meritave të veçanta në fushën e artit, kulturës, arsimit, shkencës dhe sportit, pa u kërkuar aplikantëve që të kenë një rezidencë paraprake në Shqipëri për t’u kualifikuar, u jep një mundësi që marrin pjesë në një tender për një partneritet publik-privat që do të shërbente për të hapur një skemë për dhënie të shtetësisë së investitorëve. Është pozitive që skema deri më sot nuk është zbatuar në praktikë”, thuhet në këtë dokument.

Më tej theksohet se “një skemë e tillë, nëse zbatohet, do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së për shtetësinë e BE-së (neni 20 TFEU) dhe parimin e bashkëpunim i sinqertë (neni 4(3) TEU). Si vend kandidat, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi dhe zbatimi i një skeme të dhënies së shtetësisë për investitorët”.

“Që nga korriku 2020, Shqipëria ka një legjislacion që lejon ngritjen e një skeme të shtetësisë investitore. Megjithatë, Shqipëria deklaroi publikisht në nivelin më të lartë në mars 2023 se nuk do ta zbatonte skemën në pritje të një vendimi nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së për një skemë të ngjashme në një Shtet Anëtar të BE-së”, thuhet më tej në dokument

Lidhur me të drejtën për të lëvizur dhe për të banuar lirisht brenda Bashkimit Evropian, Shqipëria deklaroi se kuadri ligjor i saj (Ligji për të Huajt) nuk është në përputhje me Direktivën 2004/38/KE për të drejtën e qytetarëve të Bashkimit dhe anëtarëve të familjeve të tyre për të lëvizur dhe banojnë lirisht brenda territorit të shteteve Anëtare.