zoom

Bota

BE do përdorë asetet e ngrira ruse që të blejë armë për Kievin. Macron: Ukraina të rimarrë Krimenë

Ukraina duhet të rimarrë kontrollin mbi të gjitha territoret që zotëronte dikur, duke përfshirë Gadishullin e Krimesë, tha presidenti francez Emmanuel Macron. Përndryshe, një “paqe e qëndrueshme” nuk do të jetë e mundur, pohoi ai.

Presidenti i bëri komentet të enjten në një intervistë me transmetuesit TF2 dhe France 2, duke e përshkruar Rusinë si “kundërshtarin” e Francës. Në të njëjtën kohë, ai këmbënguli se Parisi nuk ka qenë “duke bërë luftë kundër Rusisë”, por thjesht “duke mbështetur” Kievin në konflikt.

“Sigurisht, sot Rusia është një kundërshtar. Regjimi i Kremlinit është një kundërshtar”, tha Macron. “Ne po bëjmë gjithçka që të mund ta vëmë Rusinë nën kontroll, sepse, do t’ju them shumë thjesht, nuk ka paqe të qëndrueshme nëse nuk ka sovranitet, një kthim në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë”, tha ai.

Kurse mbështetësit evropianë të Ukrainës do t’i përdorin mjetet e fituara nga asetet e ngrira ruse, për ta financuar blerjen e armatimit për Kievin. Kështu tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, të premten pas një takimi në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

Scholz, Macron dhe Tusk e ritheksuan mbështetjen e tyre për Ukrainën gjatë atij takimi. Duke folur në një konferencë për media pas takimit, Scholz tha se përfitimet nga asetet e ngrira të Rusisë në Evropë, do të përdoren për blerjen e armëve. Mbështetja evropiane për Ukrainën është bërë tepër e rëndësishme, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, po e ka të vështirë ta bindë Kongresin amerikan ta miratojë një paketë prej 60 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin.

Zyrtarët e Perëndimit po shkojnë drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, për ta mbështetur Ukrainën. Pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE – para së gjithash obligacionet dhe llojet e tjera të garancive në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë – po mbahen në depozituesin e quajtur Euroclear në Bruksel.

Liderët e BE-së mund ta japin dritën jeshile për një vendim të tillë në fund të këtij muaji. Disa në bllok kanë ende dyshime, megjithatë, dhe Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se marrja e aseteve të ngrira ruse duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me fuqitë e G7-ës. /ZOOM.AL/