Aplikacion
Katër skuadrave më të mira në Europë i është bashkuar edhe Reali që eliminoi Manchester City me penallti. Takimi i mbajtur në Angli ishte mjaft emocionues, teksa nuk mjaftuan 90 minuta, pasi koha e rregullt u mbyll 1-1 (3-3 ndeshja e parë).
Los Blancos zhbllokuan llogaritë në minutën e 12-të, me anë të sulmuesit brazilian, Rodrygo. Me avantazhin në “xhep”, madrilenët preferuan të qëndrojnë në prapavijë, duke u zhvendosur kështu në gjysmë-fushën e vet.
Kampionët e Europës rritën ndjeshëm presionin dhe iu afruan disa herë golit. Haaland apo edhe Foden, vendosën në vështirësi portierin Lunin, por pa mundur dot të barazojnë shifrat.
Edhe në fillimin e pjesës së dytë u luajt e njëjta “muzikë”, me ekipin e Guardiolës që s’kishte asgjë për të humbur. “Drithërima” në stadium në të 46-tën, një gjuajtje e Grealish u ndal nga “gardiani” i mysafirëve. Barazimi i Manchester Cityt erdhi nga De Bruyne, i cili përfitoi pasi topi nuk u largua si duhet nga Rudiger.
As koha shtesë nuk prodhoi gol, pavarësisht rasteve. Nga pika e bardhë më i saktë u tregua Real Madrid, që festoi në fund. /ZOOM.AL/