zoom

Politikë

Basha: S’ka më tra me Kosovën në Rrugën e Kombit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vizitën e tij në qytetin e Kukësit, ka bërë një ndalesë tek tuneli i Kalimashit. Ai u prit nga simptatizantë të shumtë dhe para tyre u shprehu kundër traut dhe pagesës së rrugës, duke thënë se  kjo penalizon marrëdhëniet me Kosovën. Për këtë ai u zotua se 25 prilli do të jetë dita që çdo shqiptarë do të votojë ndryshimin dhe heqjen e traut. Ai gjithashtu rrugën e Kombit e ka quajtur si një nga sfidat e mëdha që është tejkaluar dhe një projekt madhor për Shqipërinë.

“Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj shikojeni edhe 3 jave atë tra. Në prill Shqipëria voton ndryshimin, Kukësi voton ndryshimin dhe ndryshimi i parë për çdo shqiptare dhe shqiptar nga Konispoli në Podujevë, të jetë heqja e traut. Nuk ka kaluar shumë kohë nga ai moment që na i mbushi zemrat me një besim si qytetarë të një kombi që ndërtoi tunelin më të gjatë në Ballkan dhe lidhi Shqipërinë me Kosovën. 8 vite me radhë ai që për 2 javë e gjysmë do të largohet me votën më masivë të shqiptarëve që duan ndryshim nuk bëri asgjë por përkundrazi i futi shkopinj nën rrota Kosovës, shkatërroi ekonominë tonë, uli në nivelin më të ulët marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis dy vendeve tona. Ne ndërtuam rrugën, ne ndërtuam tunelin, ai vuri traun! Sot dua t’jua përsëris jo vetëm banorëve të qarkut të Kukësit por çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, se vota më 25 prill për Partinë Demokratike, vota për numrin 9 është votë për heqjen e traut dhe çdo pengese midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kostot e shtuara financiare që kanë ulur ekonominë, tregtinë midis dy vendeve tona do të zhduken. Çdo pengesë do të zhduket dhe ne do të funksionojmë si një trup i vetëm dhe kështu do ta bëjmë të mundur që djemtë e Kukësit dhe vajzat e Kukësit të kenë mundësi të punojnë me dinjitet dhe Kukësi të kthehet në një qendër turistike, universitare dhe krenarie kombëtare për Shqipërinë dhe për Kosovën. Faleminderit nga zemra për pritjen dhe si gjithmonë mbani maskat dhe distancën.”- tha Basha.