zoom

Politikë

Basha: Jo vetëm ringritje të Teatrit ku ishte, por dhe ndëshkim për ata që e shembën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pranuar një simbol të dhuruar nga artistët qëndrestarë të Teatrit Kombëtar, maketin e Teatrit të ri që ata dëshirojnë të ngrihet mbi truallin ku u shemb dhe e ka shoqëruar atë me premtimin e fortë se “nënshkrimi im nuk parashikon vetëm ringritjen e Teatrit aty ku ishte, ashtu siç ishte, por edhe çuarjen para drejtësisë të gjithsecilit që mori pjesë në atë krim, nga urdhëruesi, tek zbatuesit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.”

Basha e prezantoi sot programin e PD-së për artin, kulturën dhe trashëgiminë në Shqipëri në një takim përpara gërmadhave të Teatrit Kombëtare që qeveria Rama shembi më 17 maj duke dhunuar artistët.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, iu drejtua regjisorit të mirënjohur Budina së pari, i cili i tregoi projektin në miniaturë.

“Faleminderit nga zemra! Zoti Budina, në emër të të gjithë artistëve qëndrestarëve, mbrojtësve të Teatrit Kombëtar, për këtë dhuratë të çmuar! – tha Basha. – Evokon dhimbje kur e shoh dhe jam i bindur që evokon dhimbje të gjithë qëndrestarëve. Por mbi të gjithë, evokon përgjegjësi, shpresë dhe besim. Kjo vepër e jashtëzakonshme, kjo pjesë e çmuar e historisë të qytetit tonë, e kryeqytetit të shqiptarëve, ky monument i gjallë i brezave të tërë, të brezave të kulturës.

Me të vërtetë u shemb pabesisht përkundër një qëndrese qindra ditore të njerëzve të artit dhe të kulturës, të simpatizantëve dhe mbështetësve të artit dhe të kulturës dhe të opozitës, të Partisë Demokratike që është krenare ndër shumë beteja që ka qenë në krahun tuaj në atë betejë. Por ata që e shembën, bëjnë gabimin e jetës së tyre nëse mendojnë se beteja mbaroi. Bëjnë gabimin e tyre nëse nënvlerësojnë nënshkrimin tim.

Unë nuk shquhem për tone të forta, as për metafora agresive, por çfarë kam nënshkruar e kam bërë realitet. Po ju them sot, se ky simbol nuk do të jetë thjesht një ngacmues i emocionit të dhimbjes për natën e errët të 17 majit, por do të jetë kujtuesi i përditshëm dhe i përnatshëm deri sa teatri të ringrihet siç ishte, aty ku ishte.

Sikundër dua t’ju them atyre që u vërsulën mbi këtë vepër dhe mbi artistët brenda dhe rreth kësaj vepre, nënshkrimi im nuk parashikon vetëm ringritjen e teatrit aty ku ishte, ashtu siç ishte, por edhe çuarjen para drejtësisë të gjithsecilit që mori pjesë në atë krim, nga urdhëruesi, tek zbatuesit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.

Të dyja janë dimensione të bashkëjetesës europiane, edhe nderimi për artin, për kulturën, për trashëgiminë kulturore, edhe fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë. Faleminderit nga zemra për këtë dhuratë të çmuar! Faleminderit profesor Budina! Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme!”