zoom

Politikë

“Basha është aeroplan pa bisht”! Marrëveshja PD-LSI, Spiropali: Kjo është për të vënë duart në kokë

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar në Kuvend për marrëveshjen e nënshkruar ditën e sotme mes kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.
Spiropali e ka konsideruar si listë të mercenarizmit që nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit. Në seancën plenare, Spiropali tha se lista e tyre është për të vënë duart në kokë dhe nuk hezitoi të ironizonte Bashën duke thënë se “kandidati për kryeministër është aeroplan pa bisht”.

Ne nuk mund të kontrollojmë as të dimë orekset e opozitës jashtëparlamentare. Sa i përket identifikimit elektronik të zgjedhësve, do ishte e arsyeshme që të bëhej dhe një identifikim i të zgjedhurve. Nga ajo që po na shohin sytë me koalicionin opozitar, nuk dimë ç’të themi më. E para se nuk është koalicion dhe nuk lejohet por është thjesht një listë që e kanë zaptuar dhe i kanë zënë vendin demokratëve që duhet të ishin aty, shumë më dinjitozë. Këta emra, Mona, Nardi, Shpëtimi, Fatmiri, Agroni e një tufë tjetër që pretendojnë se do ndryshojnë me rrënjë politikën dhe do kthejnë Shqipërinë nga e para janë të njëjtët që Shqipërisë ia kanë bërë zi në 30 vite. Prandaj i kaluam në Kuvend ato ndryshime në mënyrë që vargoni i partive të mos ishte i pafundëm dhe mos të ngrihet në piedestal parimi “KÇK” por kjo listë e klientelizmit të pastër, e mercenarizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit sic bënë Luli dhe Monika. Nënshkruan një marrëveshje imagjinare mes tyre, vunë himnin e flamurit dhe thanë Shqipëria me ne do shkojë aty ku ishte se Luli dihet që ishte me parimin e Budës, nëse do të shkosh diku mos lëviz nga vendi, por që do kishim 2 vjet luftë në Kuvend, do shkatërroheshin institucionet, do tentohet që të pengohet integrimi i vendit që të kthehen në këtë listë, është për të vënë duart në kokë, është për tu tallur me njerëzit. Kush do i ndërtojë 4500 apartamentet, shtëpitë  e banimit, lagjet e reja, infrastrukturën nga rindërtimi, Shpëtimi? Kush do i vaksinojë shqiptarët, kush do i sjellë 500 mijë vaksina deri në fund të vitit? Nardi? Kush do sjellë turistë, Agroni? Po infrastrukturën, kush do i ndërtojë aeroportet, Mona? Dhe i duket çudi këtyre se kur ke një kryetar partie dhe kandidat për kryeministër që është aeroplan pa bisht, çfarë të duhet pista, s’të duhet fare pista, as aeroportet. Po votën e emigrantëve pse e pengojnë? Çfarë kanë me votën e emigrantëve xhanëm?”- tha Spiropali.