zoom

Politikë

Basha e Kryemadhi shfaqen bashkë për herë të parë në fushatë. Kanë një mesazh për Ramën

Kur na ndan vetëm një javë nga zgjedhjet e përgjithshme, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi janë shfaqur bashkë për herë të parë në fushatë.

Ata zgjodhën zonën e Kombinatit në Tiranë për të dhënë mesazhin se do të vazhdojnë të jenë bashkë e do të qeverisin bashkë.

Lulzim Basha e shfrytëzoi daljen për t’i dhënë edhe njëherë përgjigje kryeministrit Rama se nuk do të bashkëpunojë me të pas zgjedhjeve, por me LSI-në.

“Shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë për ndryshim dhe ne jemi të vendosur që votën më 25 prill për ndryshimin ta kthejmë në një qeverisje të shpresës, në një qeverisje të njerëzve, në një qeverisje të zgjidhjeve. Me siguri ju ka rënë në sy edhe ju që edhe Edi Rama e ka kuptuar, e ka mësuar tani që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat. Një qeverisje e cila do të kthejë besimin tek ekonomia, tek punësimi dhe tek mirëqenia.”

Ndaj, le të vazhdojmë së bashku këto 7 ditë që kanë mbetur, maratonën e shqiptarëve të bashkuar për ndryshim sepse me 25 prill Rama humb, Shqipëria Fiton”, tha Basha. 

Bashkëpunimin e konfirmoi edhe kryetarja e LSI.

 “Jo pa qëllim jemi këtu në Kombinat sepse këtu ku Edi Rama kërkon të grabisë shtëpitë tuaj, jemi të dy bashkë, edhe pse kemi dy vjet që nuk ndahemi, erdhëm këtu sepse këtu fillon shtëpia e shqiptarëve. Fronti opozitar,  që është fronti shqiptar mendon për familjet tuaja. Ne jemi në shtëpitë tuaja sepse ai po rindërton vetëm xhepat e tij.  Ne jemi bashkë për ti thënë të gjithë shqiptareve që ne jemi një.” /Zoom.al