zoom

Politikë

Basha cakton deputetët në krye të tre komisioneve hetimore

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD-së, Lulzim Basha ka caktuar tre deputetët që do të drejtojnë komisionet hetimore, që opozita do të kërkojë në parlamentin e ri që ka pak javë që nisi punën.

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, që PD e cilëson “masakër zgjedhore” do ta drejtojë Enkelejd Alibeaj.

Komisioni Hetimor që opozita kërkon për çështjen “Becchetti” lidhur me humbjet e gjyqit në arbitrazh, Lulzim Basha ia ka besuar Gazment Bardhit.

Ndërsa Komisioni Hetimor për Inceneratorët do ta drejtojë Jorida Tabaku.

Porositë e Lulzim Bashës për deputetët

1-Komision hetimor për Masakrën Zgjedhore, qe u konfirmua edhe nga raporti i OSBE/ODIHR. Parësore për këtë komision hetimor do të jetë vjedhja e të dhënave private dhe personale të shqiptarëve, keqpërdorimi i aseteve dhe funksioneve publike, abuzimi me fondet e rindërtimit për qëllime elektorale, abuzimi me legalizimet në këmbim të votës. Punësimet e paligjshme në administratën publike dhe blerjen e votës.

2- Komision hetimor për çështjen Becchetti. Lufta personale e Edi Ramës me sipërmarrësin italian do t’u kushtojë qytetarëve më shumë se 120 milionë euro.

3-Komision hetimor për Inceneratorët, një aferë mafioze, kriminale që përfshin zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. Kallëzimet tona penale vazhdojnë të zënë pluhur nëpër prokurori.