zoom

Lajme

Bardhi: Provohet se Rama përdori makinën e trafikantëve, SPAK të hetojë. Balla: Bruni 45-vjeçar…

Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, i është rikthyer në Kuvend çështjes së laboratorit të kokainës, ku ka përfshirë në akuza dhe vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama.

Ai tha se ka prova për lidhjen e tij me të akuzuarit dhe të dënuarit e laboratorit të kokainës në Xibrakë. Bardhi ftoi Ramën të jepte shpjegime për lidhjet e të vëllait.

Rithemelimi i PD mbushi edhe tavolinat e Parlamentit sot me targën e makinës që Olsi Rama akuzohet se ka përdorur në Xibrakë, në vitin 2015.

“Olsi Rama ishte 45 vjeç atëherë, i datëlindjes 1969. Dosja për laboratorin e Xibrakës fle prej disa vitesh në Prokurori. Makina është me targa AA653DM. E thotë TIMS-i që makinën me këtë targë e ka përdorur Olsi Rama. Provohet ekzaktësisht se Olsi Rama gjatë kohës që ngrihej laboratori i Xibrakës ka përdorur këtë automjet. Do të doja të vinte këtu dhe të thoshte ke bërë hamendësim. Të njëjtin automjet në këtë periudhë e kanë përdorur 3 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale.

Këtë e thonë dokumentet shtetërore për Ermal Hoxhën, Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Janë të dhënat e TIMS. Nuk e thotë Gazment Bardhi. Pse nuk thuhet kush është personi i paidentifikuar i moshës 45 vjeç? Pse forcat operacionale nuk kanë publikuar foton? Gjej rastin nga kjo foltore t’i bëj thirrje SPAK-ut, kreut të SPAK, zotit Dumani që të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të vendosë para drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale që në vitin 2014 në mes të një vendi anëtar të NATO-s guxoi të ngrejë laborator kokaine. Të vihen përgjegjësisë ata që varrosën dosjen. Shqipërisë i është vendosur njolla e narkoshtetit”, tha Bardhi.

Kurse ministri i Brendshëm, Taulant Balla, foli nga Kuvendi për laboratorin e kokainës në Xibrakë, duke akuzuar opozitën se një nga personat e përfshirë është i lidhur me një deputet të opozitës.

“Sali Berisha, pronari i SHQUP-it më akuzoi mua për laboratorin e Xibrakës. Saliu kërkoi të sulmohesha unë që isha në Mirakë, jo në Xibrakë, se Xibraka është në Elbasan, jo Miraka. Ata e dinë fare mirë se kush është bruni flokëshkurtër 45-vjeçar. Shko pyet Saliun. Shko poshtë ballkonit dhe pyete Saliun, se Saliu e ka thënë këtu, është një i lidhur me një deputet të partisë tënde. Unë të dëgjova (i drejtohet Bardhit). Ti ke një problem të madh, je vetëm zhurmues, nuk u bëre njëherë drejtues i grupit parlamentar, prit të mbaroj unë)…”, tha Balla ndër të tjera. /ZOOM.AL/