zoom

Ekonomi

Banka Botërore: Shqipëria të monitorojë të vetëpunësuarit, ka evazion

Banka Botërore i ka sugjeruar Shqipërisë të trajtojë të vetëpunësuarit njësoj si ata të punësuar për sa i përket tatimit të të ardhurave, pasi kjo do të minimizonte evazionin fiskal.

Sipas BB-së, të vetëpunësuarit në Shqipëri arrijnë në shifrën e 375 mijë persona bashkë me fermerët, por 98.7% nuk kanë paguar tatim page sipas statistikave të 2019-s.

Banka tregon se kjo është provë e një nëndeklarimi. Punonjësit e vetëpunësuar regjistrohen si sipërmarrës pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për qëllime tatimore dhe janë përgjegjës vetëm për tatimin mbi fitimin. Të vetëpunësuarit në fusha të ndryshme mund të ulin xhiron e tyre vjetore të raportuar nën vlerën e 14 milionë lekëve që te mos taksohen, sipas skemës së re fiskale në vend.

“Sistemi i ndryshëm tatimor për të punësuarit dhe të vetëpunësurit ka bërë që shumë punonjës me të paga të larta të regjistrohen si të vetëpunësuar.”

60% e  këtyre të vetëpunësuarëve sipas BB-së, janë juristë, dentistë dhe teknologji informacioni.

Banka sugjeron se të ardhurat nga puna nga aktivitetet e pavarura të bëhen pjesë e TAP, tatimit mbi të ardhurat personale duke e bërë atë më progresive dhe do të arkëtohej 1 mld lekë më shumë në buxhetin e shtetit.

Banka Botërore sugjeron se TAP-i në Shqipëri është dizenjuar për të arritur barazi vertikale duke taksuar nivele më të larta të ardhurash me tarifa më të larta. Por TAP mund të bëhej edhe më progresive duke rishikuar, duke futur një grup tatimor të ndërmjetëm. Por futja e një norme më të lartë tatimore për personat me paga të larta mund të rrisë më shumë të ardhura se sa futja e një grupi tatimor të ndërmjetëm. Banka sugjeroi futjen e një grupi tatimor të ndërmjetëm prej 18% për të ardhurat prej 80 mijë lekë në muaj.