zoom

Aktualitet

Balluku kërcënon kontrollorët me burg: Përgjegjësi penale. “Fajin e ka Saliu” për grevën

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk zhgënjeu. Ashtu si qeveria ku ajo bën pjesë e ka bërë zakon, faji për grevën e kontrollorëve të trafikut ajror u gjet përtej gardhit qeveritar.

E kanë “kontrollorët që duan paga më të larta deri në 4 mijë dollarë dhe u është përgjysmuar ajo si pasojë e pandemisë”. E ka “Sali Berisha që kënaqet se do të mbyllet aeroporti i vetëm i vendit”.
Qeveria, sipas ministres Balluku, nuk ka asnjë përgjegjësi, a thua se greva nuk është kundër vendimeve të saj.

Veç kësaj mënyre sulmi që është bërë refren, që fajin e kanë gjithnjë të tejrët, ministrja Balluku kërcënoi kontrollorët.

“Është prekur e drejta për lëvizjen e lirë të çdo qytetari. Do të marrim disa masa të rëndësishmë ligjore, të cilat nuk do të jenë të mira për askënd, por as për navigimin ajror”, u shpreh ajo. “Është çështje penale dhe do të merren masa”, shtoi në fund të konferencës që mbajti në Rinas, të cilën e shtyu një natë më parë.

Sipas ministres, greva e kontrollorëve është e paligjshme, pasi kontrolli i trafikut ajror është i vetmi që ofron këtë shërbim dhe si i tillë s’mund të pengojë punën në një sektor kyç si lëvizja e qytetarëve nëpërmjet linjave ajrore.

Për t’i ngarkuar sa më shumë me përgjegjësi kontrollorët, që sot bënë grevë duke bërë të pamundur dy fluturime me Athinën e Stambollin, Balluku tha se ata po pengojnë edhe ardhjen e vaksinave sot, me të cilat do të vaksinohet popullata. Ajo shkoi më tej duke thënë se ndonjëri që ka humbur jetën jashtë sot s’ka mundësi të vijë të varroset në vend, apo ndonjëri që është operuar, nuk kthehet dot në Shqipëri.

Balluku nxorri në publik edhe sqarimet e një kontrollori, i cili argumentonte se si pasojë e përgjysmimit të pagës ishte detyruar të merrte para borxh te të afërmit apo që ky fakt i kishte shkaktuar probleme familjare.

Balluku e vuri në dukje disa herë faktin se paga ishte mbi 4 mijë dollarë, si për të thënë se janë paga mjaft të larta.

Në Shqipëri, kontrollorët nuk janë të vetmit që kanë paga të tillë. Ata i kanë ato prej vitesh. Ministrja Balluku ka qenë në dijeni, me siguri. Ato i kanë këto paga si pasojë e specifikave që ka puna e tyre. Sistemi i pagave është miratuar jo nga vetë ata, por nga instancat që i drejtojnë.

Në bazë të pagave që kanë ndërmarrë ndër vite kanë planifikuar jetësën e tyre. Kanë marrë kredi për shtëpi dhe duhet ta shlyejnë. Kanë dërguar fëmijët nëpër shkolla dhe duhet t’i paguajnë. Kanë ndërtuar të gjithë sistemin e jetës dhe sigurisht përgjysmimi i pagave u shkakton probleme atyre në këtë drejtim.

Përgjysmimi i pagave, sipas ministres Balluku, vjen si pasojë se Albcontrol është me vetëfinancim. “Mbledhin më pak para, ndaj paguhen më pak”. Por për të kuptuar sadopak këtë logjikë populiste, mjafton të shohim që edhe arka e shtetit po mbledh më pak para, por paga e ministres Balluku, kryeministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, nuk janë prekur.

“Është një grusht shteti. Janë të nxitur politikisht. A duhet të merret peng vendi se nuk merr 4 mijë dollarë?”, ishin fjalët me të cilën e mbylli konferencën për shtyp. /Zoom.al