Aplikacion
Sipas kësaj VKM-je, ndërtesat pa leje do të konfiskohen për përdorim publik dhe do t’i jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projektet publike. Gjithashtu do të përdoren si fonde për të shpronësuar qytetarët që gjithashtu preken nga projektet publike.
Balluku: Në aktet që janë miratuar sot, vlen të bëhet publik një akt i rëndësishëm. Akti ka të bëjë me të gjitha ndërtesat pa leje në Shqipëri ose siç ka të bëjë me një trend të ndërtimit të shtesave mbi lejen e dhënë. Ky lloj trendi ka një lloj sjellje që pavarësisht se leja ka 7 kate i bëjmë dhe 3 kate për t’i legalizuar më pak. Kjo nuk do të lejohet më. Të gjitha këto ndërtesa të cilat kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik. Do t’i jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projektet publike. I gjithë ky proces është një proces i gjatë i bazuar në ligj, që ka për qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që të shkelin ligjin. Për çdo ndërtesë që rezulton se ka shkelur lejen ose çdo ndërtesë të ndërtuar pa leje do te këtë edhe një investigim për institucionet që kanë pasur për detyrë kontrollin e territorit. Nuk do të ketë tolerancë për asnjë nga ndërtuesit që kanë ndërtuar pa leje. Gjithçka që është ndërtuar pa leje do të kalojë në përfitim të popullit.
View this post on Instagram
Ministrja shtoi se nuk do të ketë tolerancë për të gjithë ndërtuesit që kanë ndërtuar pa leje. Por vendimi nuk prek ata që kanë ndërtuar deri tani pa leje. Një prej tyre, që mban edhe firmën e zëvendëskryeministres Balluku është pallati me emrin “Downtown”, i ndërtuar nga “Kastrati Grup”.
Nën drejtimin e Edi Ramës, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi planin e përgjithshëm vendor të Tiranës, i cili mes të tjerave parashikoi një kullë buzë Unazës, në bulevardin “Bajram Curri”.
Godina 133.8 metra e lartë do të pozicionohej mes qendrës tregtare “ETC” dhe parkut të lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”. Ky projekt u quajt DownTownn.
PD ka denoncuar vazhdimisht në parlament se aty ndodhen 5 kate pa leje. Vetë Balluku, sipas denoncuesit Gazmend Bardhit ka firmosur që të legalizohen katet.
Bardhi ka deklaruar se është marrë leje për ndërtimin e 37 kateve dhe 5 kateve nëntokë, por kësaj ndërtese i janë shtuar edhe 5 kate pa leje.
Pra, në total gradacela ka 42 kate nga 37 kate për të cilat ishte kërkuar leje.
Atëherë pse nuk u mor kjo masë edhe për këtë rast, që katet pa leje t’i sekuestroheshin dhe “t’i jepeshin popullit”? Po Belinda Balluku, a ndjen përgjegjësi kur i kërcënon ndërtuesit me sekuestrim, kur vetë ka lejuar jo pak, por 4 apo 5 kate pa leje në qendër të Tiranës dhe kur për këtë skandal është njoftuar si nga mediat ashtu edhe nga opozita?
Në 5 vite, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, 3304 qytetarë janë dënuar për ndërtim të paligjshëm, por asnjë prej tyre nuk ka bërë si ndërtim të paligjshëm gradacela e biznese; ata veçse kanë rregulluar çatitë e shtëpive të rrënuara, dhomën e gjumit ose murin rrethues. /zoom.al/