zoom

In Zoom

“Babi më ka puthur”! “Armiku” brenda shtëpisë, 67 fëmijë u abuzuan seksualisht gjatë pandemisë

Kur shifrat e abuzimeve seksuale ndaj të miturve kanë pësuar rritje tronditëse, shteti shqiptar është ende i papërgatitur për t’i mbrojtur nga kjo formë dhune. 38 të mitur u abuzuan seksualisht vetëm përgjatë 5 muajve të parë të këtij viti, ndërsa pushteti lokal nuk ka, as fonde e as burime njerëzore për t’iu ofruar procesin delikat të rehabilitimit.

“Babi më ka puthur, më ka blerë dhurata, më ka zhveshur, unë nuk doja… Ka ndodhur, kur nuk ka qenë mami… Ai më ka kërkuar disa herë të shkoja në dhomën e gjumit, por unë nuk pranoja. Ai bëhej me nerva, bërtiste, i shante të gjithë dhe thoshte fjalë të pista ose gjuante vëllain”, – kjo është vetëm një pjesë e dëshmisë tronditëse të një vajze të mitur, e cila është abuzuar seksualisht nga ish-bashkëjetuesi i dytë i nënës së saj.

Anisa (emri, me të cilin zgjodhi Investigative Network Albania t’i referohet nënës së vajzës së abuzuar, për të ruajtur identitetin e saj), bashkëjetonte prej 4 vitesh me një shtetas italian.

Dy fëmijët e saj të mitur, një djalë dhe një vajzë, e shikonin bashkëjetuesin si baba. E ëma shpesh i linte fëmijët vetëm me burrin që bashkëjetonte, pasi punonte për të mbajtur familjen, por edhe largohej për disa muaj në Itali për punë.

Gjatë kësaj kohe bashkëjetuesi i nënës shfrytëzonte afërsinë që fëmijët kishin me të dhe i dhunonte fizikisht dhe seksualisht.

Einxhel (emri jo i vërtetë i vajzës së abuzuar nga njerku i saj,) sipas dëshmisë së siguruar nga Investigative Network Albania, referuar procesverbalit gjyqësor nr. 584, është abuzuar në verën e vitit 2016.

E mitura, asokohe 12 vjeç, nuk i ka treguar nënës se çfarë i kishte ndodhur, për shkak të kërcënimeve që i bënte “babai”, duke pranuar shantazhet e tij.

E gjithë historia doli në dritë, kur policia shqiptare arrestoi në vitin 2018 shtetasin M. C., ish-bashkëjetuesin e nënës, me qëllim ekstradimin e tij drejt shtetit italian.

Ngjarja merr përmasa alarmante, pasi shtetasi italian M. C., i diplomuar për psikologji për të mitur, ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për abuzim me të mitur.

Referuar vendimit të gjykatës, në vitin 2017, ai ishte dënuar nga gjykata italiane me 16.2 vite burg, me dënim të formës së prerë për “Abuzim seksual me të mitur me aftësi të kufizuar dhe në kujdestari”. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar në fund të vitit 2017, ndërsa jetonte në Shqipëri prej vitesh dhe në shtator të vitit 2018 është arrestuar nga drejtësia shqiptare.

Pas arrestimit të tij të dy fëmijët janë marrë në pyetje dhe vajza e mitur ka rrëfyer historinë tronditëse të abuzimit. Sipas të miturës, shtetasi italian ushtronte dhunë fizike mbi të dhe të vëllain dhe për këtë ishte në dijeni edhe e ëma, por nuk i kishte rrëfyer asnjëherë së ëmës për abuzimet seksuale.

Ish-bashkëjetuesi e mohoi të ketë kryer marrëdhënie seksuale me thjeshtrën e tij, por ekspertiza mjekoligjore vërtetoi se vajza kishte dëmtime dhe ishte defloruar, duke dalë në konkluzionin se ishte abuzuar seksualisht me të miturën, ndaj prokuroria kërkoi 30 vite burg.

Por kjo nuk ishte hera e parë që e mitura abuzohej seksualisht. Kjo histori nxori në dritë një tjetër dramë më të hershme të abuzimit të saj. Vajza ishte abuzuar seksualisht edhe më parë në moshën 8-vjeçare nga ish-bashkëjetuesi i parë, po shtetas italian, por në këtë rast ekspertiza mjekoligjore konstatoi se nuk ishte konsumuar marrëdhënie seksuale. Të dy ish-bashkëjetuesit e nënës janë dënuar nga gjykata, njëri për “Vepra të turpshme”, tjetri për “Kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur, me forcë”.

Pas kësaj ngjarjeje vajza, e cila sot është 17 vjeç, është larguar familjarisht nga Shqipëria për në Itali për të nisur një jetë të re, larg gjurmëve të vendit ku përjetoi dhunën seksuale të përsëritur në një moshë shumë të vogël.

Por Einxhel nuk është një rast i izoluar, kur të miturit ngecin në lakun e abuzimeve seksuale.

11% e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç në Shqipëri ngacmohen seksualisht nga persona të rritur, ndërsa 5% e tyre janë viktima të dhunës seksuale. Këto shifra tronditëse kanë dalë gjatë një studimi të kryer përgjatë vitit 2015 nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), në Shqipëri.

Mirgit Vataj, Drejtor Ekzekutiv i qendrës ALO 116111, një qendër telefonike në dispozicion të të miturve, që merret me këshillimin e tyre online, thotë për Investigative Network Albania se “1 në 10 fëmijë në Shqipëri është i kërcënuar nga krimet seksuale”.

Dyfishohen krimet seksuale, “armiku” brenda në shtëpi

Megjithëse janë rritur masat shtrënguese për të gjithë ata që kryejnë krime seksuale, shifrat e fëmijëve që kanë rënë pre e ngacmimeve seksuale janë në rritje të frikshme.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mijëra fëmijë kanë nevojë çdo vit për ndihmë, ndërsa dhjetëra të tillë bien pre e abuzimeve seksuale. Në të shumtën e rasteve abuzimi ndodh nga një familjar, brenda mureve të shtëpisë. Kjo konfirmohet edhe nga shifrat e larta të abuzimeve seksuale, të ndodhura gjatë vitit pandemik, 2020.

Sipas të dhënave zyrtare, të siguruara nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, gjatë vitit 2018 janë menaxhuar 18 raste të dhunimit seksual të fëmijëve, duke pësuar një rritje në vitin 2019 me 29 raste. Paradoksalisht, viti 2020, që ishte viti, kur fëmijët qëndruan të mbyllur brenda në shtëpi me familjarët e tyre, për shkak të lockdown-it të shkaktuar nga Covid-19, shënoi një dyfishim të rasteve. Përgjatë vitit pandemik 2020, punonjësit socialë morën nën mbrojtje plot 65 fëmijë të ngacmuar apo abuzuar seksualisht.

Shifra shqetësuese raportohet nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve edhe për vitin 2021. Sipas kësaj agjencie, vetëm për periudhën janar-mars 2021, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve në mbarë vendin kanë menaxhuar 1417 raste të fëmijëve në nevojë mbrojtjeje.

“Për arsye të dhunës seksuale janë marrë në mbrojtje 32 fëmijë në këtë periudhë kohore”, – thotë për INA MEDIA-n kjo agjenci, ndërsa sqaron se 187 fëmijë të tjerë kanë qenë viktima të dhunës psikologjike dhe 69 janë fëmijë të abuzuar fizikisht.

Shifra të ngjashme konfirmohen edhe nga Policia e Shtetit. Në përgjigjen zyrtare të policisë të kthyer për INA MEDIA-n bëhet me dije se gjatë vitit 2020 janë raportuar 67 krime seksuale me të mitur.

“29 fëmijë janë abuzuar, ndërsa 38 janë ngacmuar seksualisht apo janë bërë vepra të turpshme me të miturit”, – thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndërsa për 5 muajt e parë të vitit 2021, sipas policisë, janë kryer 38 krime seksuale me të mitur, 11 janë abuzuar, ndërsa 27 janë ngacmuar seksualisht. Nga analizimi i të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit për vitin 2020 dhe 2021 rezulton se numrin më të lartë të abuzimit e mbajnë fëmijët nën moshën 14 vjeç.

Të mitur dhe viktima të trafikimit

E ëma e vajzës së mitur, që u abuzua dhe u trafikua për 2 vite

Ana është një tjetër e mitur, e cila, jo vetëm është abuzuar seksualisht, por edhe është trafikuar. Historia e rehabilitimit të saj është dëshmi e qartë e dështimit të institucioneve, për mënyrën se si i menaxhojnë situata të tilla. Ajo mundi vetëm pas 3 vjet vuajtjesh dhe vështirësish që të dalë nga ky rreth.

Nga mosha 15 deri në 17 vjeç Ana është abuzuar seksualisht dhe është trafikuar nga disa persona në një qytet të Shqipërisë. Ajo sot është 18 vjeç dhe ndodhet në Qendrën për Mbrojtjen e Fëmijëve prej një viti.

E ëma rrëfen për INA MEDIA-n se vajza e saj që në moshën 13-14-vjeçare shoqërohej me disa persona të papërshtatshëm, duke u kthyer edhe në përdoruese të drogave të ndryshme, duke e detyruar të ëmën që të ndërmarrë një vendim ekstrem dhe ta denoncojë në polici.

“Filloi të mos më pyeste për veprimet që bënte. Më sillte shoqërinë në shtëpi dhe mua më nxirrnin jashtë, teksa ata merrnin drogë. Nuk po e duroja më. E denoncova në polici”, – rrëfen mes lotësh e ëma.

Ajo tregon se pas denoncimit vajzën e futën në një institucion rehabilitues në Elbasan, por ajo përmes mashtrimeve doli nga aty.

“Kur doli nga institucioni, filloi prapë rrugën e keqe. Pas disa kohësh më njohu me një çift. Gruaja, shoqja e sime bije, quhej Evisa, e cila së bashku me bashkëjetuesin e saj e futën vajzën time në rrugën e prostitucionit”, – tregon ajo.

E ëma e Anës rrëfen për Investigative Network Albania, se ata i gjenin klientë dhe vinin e merrnin orar e pa orar, derisa erdhi një moment që vetë vajza refuzoi të shkonte. Pikërisht në këtë moment filloi dhuna ndaj saj.

“E kanë rrëmbyer vajzën për disa ditë. E detyronin të bënte gjëra që nuk donte, e torturonin, e dhunonin fizikisht dhe seksualisht. Ata e shfrytëzuan për 2 vite. E kam parë vajzën me shenja, ajo nuk bashkëpunonte fare, nuk ishte në gjendje. Pas disa kohësh vajza më tha se nuk mund të shkonte në polici, pasi, nëse do t`i denonconte, do na vrisnin”, – thotë e ëma e Anës.

Ajo akuzon policinë që nuk e mori vajzën në mbrojtje, pasi donin që ajo të dekonspironte rrjetin.

“Policia e dinte situatën dhe nuk i ofroi vajzës mbrojtje, por donin që ajo të bashkëpunonte me drejtësinë për të arrestuar grupin kriminal, edhe pse jeta e vajzës time ishte në rrezik. Pas disa rrëmbimesh, kërcënimesh, dhunimesh vajza u bind dhe bashkëpunoi me policinë, tregoi emrat e grupit të drogës dhe tutorët. Shumë persona u prangosën. Pas kësaj vajzën e morën në mbrojtje punonjësit socialë”, – tregon e përlotur dhimbjen që ka kaluar ajo dhe vajza.

Edhe pse ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve u ndryshua dhe u përmirësua në vitin 2017, kjo duket se nuk po i frenon abuzimet seksuale ndaj të miturve.

Në vitin 2020 opinioni publik u trondit nga historia e abuzimit seksual të një të miture nga roja e shkollës. Përmes videove shantazhuese të abuzuesit ajo u përdhunua edhe nga disa djem të tjerë të lagjes.

Nën frikën se prindërit nuk do e besonin dhe turpit se video do bëhej publike, ajo zgjodhi të mos tregonte dhe për 1 vit rresht përjetoi dhunë seksuale e psikologjike.

Çfarë e bën edhe më të rëndë të gjithë këtë histori, është fakti se institucionet përgjegjëse, Ministria e Arsimit dhe policia e zonës, ishin vënë në dijeni, pasi kishte të dhëna se edhe më parë nxënësit e kësaj shkolle ishin përfshirë në ngjarje të tilla.

Dështimi i institucioneve për të reaguar në kohë, ka bërë që vajza, për shkak të traumës që ka pësuar, të mbyllet në Qendrën për Mbrojtjen e Fëmijëve në Tiranë prej më shumë se një viti dhe nuk është rikthyer në shkollë.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Kamëz, Ermioni Cekani, mendon se abuzimi i vajzës 15-vjeçare mund të ishte parandaluar. Sipas saj, njëri nga abuzuesit kishte dhunuar seksualisht më parë shoqen e saj të klasës dhe, nëse drejtësia do të vepronte për djalin e denoncuar nga shkolla, ai nuk do mund të kryente të njëjtin krim me 15-vjeçaren.

“Më herët kishim zbuluar një rast, ku njëri nga grupi i dhunuesve të 15-vjeçares kishte abuzuar me një tjetër vajzë, i kishin bërë të njëjtin presion. Ne e denoncuam rastin në polici, por çështja u mbyll, pa shkuar në gjykatë. Vajza për rastin e parë nuk është rehabilituar, nuk e ka marrë njeri në mbrojtje. I dërgova Ministrisë së Arsimit, e drejtuar në atë kohë nga Besa Shahini, dy e-mail-e, duke e vënë në dijeni për vajzën, e cila u abuzua nga shoku i klasës, por nuk morëm asnjë reagim, prandaj abuzimi i 15-vjeçares nga roja e shkollës mund të ishte parandaluar, nëse drejtësia do të vepronte”, – tha Cekani, ish-drejtoresha Arsimore, Kamëz për Investigative Network Albania.

Bashkitë, pa fonde dhe ekspertë

Referuar ndryshimeve ligjore në vitin 2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” në çdo bashki janë ngritur njësitë për mbrojtjen e fëmijëve (NJMF), të cilat kanë si funksion të identifikojnë, parandalojnë dhe të marrin në mbrojtje fëmijë të dhunuar, të abuzuar apo të rrezikuar, por mungesa e fondeve dhe e burimeve njerëzore e ka bërë nul funksionimin e këtyre strukturave.

Pafuqinë për të parandaluar krimet seksuale e pranojnë edhe vetë institucionet lokale.

Referuar përgjigjeve që 28 bashki i kthyen INA MEDIA-s, ngërçi për të ndihmuar fëmijët që bien pre e abuzimeve seksuale, lidhet më së shumti me burimet e pamjaftueshme financiare, me mungesën e burimeve njerëzore e deri me mungesën e një automjeti për të shkuar në çdo zonë, si dhe me pamundësinë për të siguruar veshmbathje dhe ushqim. Pikërisht për shkak të këtyre mungesave të përhershme ata kërkojnë një fond specifik për këto kategori. Më problematike situata është në bashkitë Durrës, Kukës, Kolonjë, Malësia e Madhe, Selenicë, Shijak, Patos, Përrenjas, Roskovec, Dropull, Skrapar, Divjakë, Klos, Berat, Pustec, Libohovë dhe Mirditë.

“Ligji t`i përcaktojë më qartë shpenzimet e menaxhimit të rasteve, kur fëmijët janë në rrezik, pasi kërkohet ndërhyrje, jo vetëm për fëmijën, por edhe për familjen”, – sugjeron Bashkia e Beratit.

Në bashkitë Libohovë, Memaliaj, Mirditë, Malësi e Madhe punonjësit socialë për mbrojtjen e fëmijëve kryejnë edhe detyra të tjera, si Specialist për Ndihmë Ekonomike për Personat me Aftësi të Kufizuara, për Barazinë Gjinore. Madje ka raste, siç është ai në Bashkinë e Kolonjës, ku njëri nga punonjësit është i diplomuar në Fakultetin e Ekonomikut, dega Turizëm.

3 vjet për të “harruar” abuzimin

Nadire Kreka, punonjëse sociale në Bashkinë e Elbasanit, prej vitesh merret me rehabilitimin e fëmijëve të abuzuar seksualisht nga trauma e shkaktuar.

“Rehabilitimi është një proces i vështirë e tejet delikat. Është një proces i gjatë që do kohën e vet dhe nuk mund të ketë rehabilitim brenda disa muajve. Sigurisht që është shumë individuale dhe mund të zgjasë nga 1-3 vite”, – shpjegon Kreka për Investigative Network Albania.

“Situata që fëmija mund të ketë kaluar, është e pashmangshme të mos lërë gjurmë në rrjedhshmërinë e jetës së tij”, – thotë Enertila Bekteshi, psikologe, për INA MEDIA-n.

Ekspertët e shëndetit emocional shprehen se ka shumë raste abuzimesh që nuk denoncohen apo të kërkohet ndihmë. Moskurimi i traumës së shkaktuar, sipas tyre, përveçse shkakton probleme emocionale dhe ndikon në deformimin e gjithë pjesës së jetës, shkakton edhe probleme të shëndetit mendor, si gjendje ankthi apo të tjera shqetësime.

Ekspertët, të paaftë për të parandaluar abuzimet

Mirgit Vataj, Drejtori Ekzekutiv i qendrës ALO 116111, e lidh rritjen e krimeve seksuale me paaftësinë për t’i parandaluar.

“Që nga viti 2017 kemi një ligj të mirë për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve, por akoma sistemi i mbrojtjes është i papërgatitur për t’i mbrojtur efektivisht fëmijët nga krimet seksuale”, – u shpreh Mirgit Vataj.

Avokatja Enida Bozheku e lidh rritjen e dhunës seksuale me moszbatimin e ligjit dhe mungesën e trajnimeve të punonjësve socialë dhe psikologëve. Ajo kritikon shtetin, se nuk i jep vëmendjen e duhur një procesi kaq delikat, siç është abuzimi ndaj të miturve dhe mendon se puna e organizmave në bashki është sipërfaqësore.

“Shifrat janë alarmante. Ligji për Mbrojtjen e të miturve ekziston, problem është aplikimi. Shpesh aplikimi i ligjit nuk bëhet, siç duhet, sepse nuk janë të trajnuar siç duhet punonjësit socialë dhe psikologët në mënyrë specifike, pra kanë një formim të përgjithshëm dhe jo specifik. Problem tjetër është mungesa e vëmendjes së shtetit; ato mund të ekzistojnë si organizma që janë pranë bashkive, por duke patur pak fonde dhe vëmendja e institucioneve është shumë e ulët, puna e tyre është sipërfaqësore”, – tha avokatja.

Një tjetër arsye pse ligji nuk po mundet të parandalojë apo të reduktojë krimet seksuale, sipas avokates Bozheku, është fakti se pedofilët, abuzuesit dënohen shumë pak, në krahasim me dëmin që kanë shkaktuar tek i mituri.

“Krimet seksuale trajtohen si vepra penale dytësore dhe dënimet ndaj autorëve janë shumë të dobëta; nuk janë dënime që japin efekt në shoqëri që të parandalohen.

Në momentin që shteti dënon me 3 vjet apo 5 vjet burg, kur përdhunohet një 13-vjeçare, dënimi është shumë minimal, sepse, dëmi që është bërë, është shumë i madh dhe dënimi nuk është proporcional me dëmin e shkaktuar”, – tha avokatja.

Bozheku thotë se fondet nuk mungojnë, por duhen monitoruar shoqatat se si i përdorin këto pará.

“Nuk kemi një ligj që t`i kontrollojë fondet që përdoren nga shoqatat, të cilat kanë si qëllim kujdesin ndaj kësaj kategorie. Mënyra se si menaxhohen fondet e shoqatave, lë vend për abuzim”, – përfundon ajo.

Iris Luarasi, aktiviste dhe drejtuese e Linjës së Këshillimit për Vajza dhe Gra, të dhënat zyrtare për abuzimet i sheh si rritje të ndërgjegjësimit për të denoncuar aktet e dhunës së ushtruar seksuale, por për pedagogen Luarasi të dhënat e raportuara janë vetëm “maja e ajsbergut”, pasi ende gratë apo vajzat nuk e tregojnë dhunën që kanë përjetuar.

Ajo mendon se energjitë duhen fokusuar te rehabilitimi i viktimave, por edhe i abuzuesve adoleshentë, pa lënë mënjanë zbatimin rigoroz të ligjit nga institucionet.

“Ka një përpjekje për të riadaptuar Kodin Penal për dhunën seksuale. Ligjet që kanë lidhje me dhunën në familje dhe për parandalimin e dhunës seksuale, janë të mira, por problem është implementimi i tyre nga institucionet. Shpesh as gjyqtarët nuk i reflektojnë ndryshimet ligjore që bëhen për të përmirësuar luftën kundër kriminalitetit në vendimet e marra,”, – thotë Luarasi, duke parë si mjet për parandalimin e dhunës seksuale edhe futjen e lëndës së edukatës seksuale që në fillore.

Ajo iu jep një përgjigje të gjithë skeptikëve, që e akuzojnë shpesh viktimën e abuzuar se përse nuk reagon, kur e dhunojnë.

“Sipas studimeve, edhe gruaja më e fuqishme të jetë, në momentin e dhunimit apo abuzimit nuk reagon, pasi truri lëshon një mekanizëm mpirjeje, si një formë për të mbrojtur psikologjinë për traumën që po kalon në ato momente dhe për të dobësuar dhimbjen e shkaktuar nga dhuna e ushtruar”, – sqaron Luarasi.

Pavarësisht 3 viteve të vështira në rehabilitim, Ana ka filluar ta marrë veten.

“Kanë qenë vite vërtet të tmerrshme për vajzën, por edhe për mua. Jam optimiste, pasi tani ajo ndihet më mirë, ka filluar më tregon se çfarë ndjesish ka… madje po bëjmë plane edhe për të ardhmen”, – e përfundon rrëfimin e ëma e Anës 18-vjeçare, që e kaloi adoleshencën brenda një qendre rehabilitimi.