zoom

Bota

Autoritetet italiane lirojnë nga burgu ish-liderin e Katalonjës

Ish-lideri katalanas, Carles Puigdemont është liruar nga paraburgimi në Sassari, Itali.

Eurodeputeti dhe ish-presidenti i rajonit të Katalonjës së Spanjës u arrestua nga policia kufitare pasi mbërri në aeroportin Alghero të enjten në mbrëmje.

Pasi u la i lirë, ai deklaroi: “Shumë mirë, nuk ka problem. Policia dhe rojet e burgut ishin njerëz shumë profesionistë, shumë seriozë”.

Autoritetet thanë se Puigdemont ishte i lirë të udhëtonte pa kufizime, pasi ata caktuan një seancë për të vendosur mbi ekstradimin e tij më 4 tetor.

Ky vendim erdhi nga autoritetet italiane, pasi premten nga ishulli La Palma, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i kërkoi Puigdemont që “t’i nënshtrohet drejtësisë spanjolle”.

Carles Puigdemont, i cili jeton në Belgjikë dhe mban një vend në Parlamentin Europian, ka kundërshtuar ekstradimin në Spanjë, e cila e akuzon atë dhe liderët e tjerë katalanas për kryengritje.

58 vjeçari u largua nga Spanja në fund të tetorit 2017.  Ai akuzohet gjithashtu për keqpërdorim të fondeve publike.