zoom

Aktualitet

Atentati me tritol në Kamëz ndaj Gjon Menajt, Gjykata e Tiranës lë në burg Gjergj Cukalin

Gjergj Cukali ka dalë ditën e sotme para gjykatës. Ai është njohur me masën e sigurisë nga Gjykata, duke e lënë në arrest me burg.

Cukali akuzohet si porositësi i vënies së tritolit në makinën e biznesmenit Gjon Mena në Kamëz më 9 shkurt.

Ai njihet ndryshe si i forti i ‘Myslim Shyrit’ ndërsa ka mohuar njohjen me “shënjestrën” në Kamëz. Policia për atentatin me tritol në Kamëz, ka arrestuar Gjergj Cukali dhe dy vëllezër, shtetasit Ermond Jakimi 24 dhe Enver Jakimi 33 vjec, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit dhe është shpallur subjekt i OFL.

Top Channel ka raportuar dhe më herët për Cukalin. Në vitin 2004, ai ka qenë i akuzuar për pengmarrje.

I dënuar për pengmarrje

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Arrestimi në 2016

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Atë kohë u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit ishin shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta kishte edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.

Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.

Trafikantit i zbulohet identiteti tjetër

Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Atë kohë Top Chanel ka siguruar dokumentet e falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Sëmundja që e dërgoi nga burgu në shtëpi

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arrin që të dalë. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

“Për këtë arsye,- thotë Gjykata e Lartë, -Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë. Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.

Arrestimi i tij në vitin 2018

Gjergj Cukali nuk qëndron dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë. 40-vjeçari “i dënuar me masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, është kapur në flagrancë larg banesës së tij pasi kishte shkelur vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”, njoftonte atë kohë policia e Tiranës.

Arrestimi në maj të 2019.

Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Gjergj Cukalit, ku është akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendojnë se kanë prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.

Si ndodhi ngjarja më 9 shkurt

Gjon Mena, sapo doli nga shtëpia e tij për të hapur makinën me pult, automjeti shpërthen  nga krahu i shoferi dhe ai mbetet i plagosur lehtë në këmbë. Ai u  dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

35-vjeçari me origjinë nga Mirdita, me herët ka mbajtur emrin Altin Xhuxha. Ai rezulton një person me rekorde kriminale brenda dhe jashtë vendit. Mena, ka jetuar në Francë dhe Itali, ku është dënuar për vjedhje me armë dhe me dhunë, ndërsa në vendin tonë, ai ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje.

Dyshimet paraprake te grupit hetimor ishin për konfliktet që i plagosuri nga shpërthimi në makinën e tij, të ketë pasur me të tjerë së fundmi.