zoom

Politikë

“As pandemia nuk e ndali shpopullimin e Shqipërisë”, Meta: 25 prilli, mundësi historike

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaron se ndonëse nën masa kufizuese dhe me kufij pothuajse të mbyllur, shqiptarët me të gjitha mënyrat janë përpjekur të largohen jashtë vendit duke bërë fajtore keqqeverisjen. Meta thekson se as pandemia nuk e ndali shpopullimin e Shqipërisë, duke e cilësuar dramatik.

Ai deklaron se më 25 prill kemi një mundësi historike për t’i dhënë përgjigjen e merituar autorëve të këtij projekti antikombëtar, që duan ta zhvatin Shqipërinë duke e zhbërë.

MESAZHI I PRESIDENTIT META

As pandemia nuk e ndali shpopullimin e Shqipërisë!

Ndonëse nën masa kufizuese dhe me kufij pothuajse të mbyllur, shqiptarët me të gjitha mënyrat janë përpjekur të largohen jashtë vendit, duke zënë edhe për vitin 2020 vendin e parë në Europë, për numrin e aplikimeve për azil nga Ballkani dhe vendin e dytë në botë, pas Sirisë, në raport me popullsinë.

Të dhënat e fundit të Zyrës Evropiane për Azilin (EASO) bëjnë të ditur se, vitin e kaluar nga Shqipëria ka pasur 6558 aplikime, nga Serbia 2605, nga Kosova 2114, nga Bosnje dhe Hercegovina 1329, nga Maqedonia e Veriu 1230 dhe nga Mali i Zi 207.

Në këtë përvjetor të eksodit biblik të shqiptarëve, që 30 vite më parë u larguan nga vendi për t’i shpëtuar diktaturës, duhet të jemi më shumë se kurrë të brengosur për këtë shpopullimin dramatik, që qartazi po ndodh për shkak të keqqeverisjes dhe mungesës së shpresës.

Më 25 prill kemi një mundësi historike për t’i dhënë përgjigjen e merituar autorëve të këtij projekti antikombëtar, që duan ta zhvatin Shqipërinë duke e zhbërë.

Me kurajë dhe me besim tek vota e lirë, me pjesëmarrje masive në zgjedhje, të çelim një epokë të re të ndërtimit të së ardhmes tonë të sigurt europiane, për të nxjerrë nga “intubimi” demokracinë, për t’i dhënë frymëmarrje lirive dhe të drejtave të njeriut.

Do ta çlirojmë Shqipërinë nga thonjtë e oligarkëve, banditëve dhe arrogantëve!
Rrugë tjetër nuk kemi! Më 25 prill, o kurrë! ??