zoom

Aktualitet

Arsenal armësh në shtëpitë e Vis Martinajt dhe xhaxhallarëve të tij, policia asnjë të shoqëruar

Policia e Shtetit nuk ka shoqëruar apo arrestuar asnjë person lidhur me zbulimin dhe sekuestrimin e armëve dhe municionit luftarak të hënën në Fushë Kuqe, në banesat e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinajt, në kontrollet që zgjatën për rreth 5 orë.

Mësohet se armët e municionet u zbuluan të futura në kosheret e bletëve në një ambient të përbashkët të familjes Martinaj. Burimet bëjnë me dije se dy xhaxhallarët e të shumëkërkuarit ndodheshin prezent, por për arsye të paqarta nuk dihet se përse nuk janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, duke qenë se brenda në banesa janë gjetur familjarë të Martinajve. Burime nga organi i akuzës në Kurbin shprehen se urdhri është dhënë për kontrolle të befasishme, dhe se është kompetencë e policisë për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me sendet e jashtëligjshme të gjetura.

Përveç armëmbajtjes pa leje, në rastin konkret është edhe vepra penale e përvetësimit të simboleve të Policisë së Shtetit. Armët e gjetura janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, teksa dyshimet janë për përdorim të tyre në ngjarje të tjera kriminale. Përveç tentativës për të kuptuar mbi përdorimin e armëve, policia do të verifikoj edhe maskat e gjetura, tek të cilat mund të gjenden gjurmë gishtash.