zoom

Aktualitet

Arrestohet për korrupsion prokurori i Sarandës

Tetë persona janë arrestuar nga policia këtë të Shtunë në kuadër të një hetimit të nisur në vitin 2020 nga SPAK.

Mes të arrestuarve është dhe prokurori i Sarandës Sali Hasa, i cili akuzohet për korrupsion pasiv.

Më 17 Qershor, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për 6 nga të arrestuarit, arrest në shtëpi për një prej tyre dhe detyrim paraqitje për një tjetër.

Këtë të Shtunë, Policia e Shtetit zbatoi masat e sigurisë të dhëna nga gjykata. Po ashtu, nga ana e uniformave blu u kryen dhe kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë, në kuadër të vendimit të gjykatës.

Masat e sigurisë

Masat e sigurisë “arrest me burg” të caktuara nga gjykata janë për:

  • Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
  • Napolon Hodaj,Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
  • Qerim Ruçi,arbitër i ndeshjeve të futbollit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.
  • Bledar Hajredini,zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.
  • Julian Zera, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
  • Emiljano Mirani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu me vendimin nr.40 datë 17.06.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarën Elsona Papa, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Kurse ndaj shtetasit Hysen Korenica (ish ekspert mjeko – ligjor), Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ekspertim i rremë”.

Hetimet

SPAK njoftoi se ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” etj.

“Hetimi i këtij procedimi penal u bë i mundur falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit pasiv të prokurorëve. Gjithashtu, nga hetimet u evidentuan të dhëna edhe në lidhje me një vepër penale tjetër siç është ajo e ‘Paracaktim i rezultateve në garat sportive’”, njoftoi SPAK.