zoom

Slider

Arrestohet mbrojtësi i Man. City-t, akuzohet për përdhunim

Benjamin Mendy arrestohet nga policia britanike. Mbi mbrojtësin francez të Manchester City-t rëndojnë katër akuza për përdhunim dhe një tjetër për sulm seksual, të cilat janë ngritur nga tre vajza të moshës mbi 16 vjeç.

Rastet e denoncuara mësohet të kenë ndodhur mes tetorit të 2020-ës dhe gushtit të 2021-shit, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar arrestimin e mbrojtësit 27-vjeçar që u shpall edhe Kampion Bote me Francën në “Rusi 2018”.
Klubi i Manchester City-t ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku njofton se ka pezulluar pa afat mbrojtësin, teksa shton se nuk mund të thotë asgjë më tepër, për sa kohë që çështja është nën hetim nga autoritetet.
Gjithashtu mediat britanike bëjnë me dije se nesër pritet që Mendy të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën paraprake, ndërsa avokatët e mbrojtësit po punojnë për të siguruar hetimin në gjendje të lirë të klientit të tyre.
Benjamin Mendy spikati te klubi i Monacos në sezonin 2016-2017 dhe pikërisht në verën e 2017-ës u transferua te Manchester City për një shifër rekord prej rreth 60 milionë eurosh, ndërsa me “citizens” numëron 75 ndeshje zyrtare e dy gola të shënuar.