zoom

Aktualitet

Arrestohen 6 policë në Durrës, lejonin hyrje-daljet në port të personave në kërkim

Gjashtë punonjës policie janë vënë në pranga nga Angjencia e Mbikqyrjes Policore në Durrës.

Ata janë efektivë të Stacionit Policor të Portit të Durrësit.

Ndaj tyre ishte caktuar masa e “arrestit me burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, pasi akuzohen për korrupsion pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim detyre.

“Nga hetimet e kryera rezulton se punonjësit e mësipërm të policisë, duke keqpërdorur atributet që u jep detyra në P.K.K Port Durrës, lejonin hyrje-dalje të shtetasve të cilët kishin ndalesa për udhëtimin në zonën Shengen në këmbim të vlerave monetare, të cilat varionin nga 5 deri në 100 euro. Këto ndërverime korruptive të dokumentuara gjatë hetimeve, kryheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur, duke përfshirë raste të lejimit të kalimit të shtetasve të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, apo automjeteve që nuk i nënshtroheshin regjimit doganor”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Gjithashtu, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në funksion të këtij procedimi, ka caktuar masat e sigurimit personal “Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” për 20 shtetas, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se këta shtetas kanë kryer ndërveprime korruptive ndaj punonjësve të policisë të përmendur më lart.