zoom

Sport

“Aromë” titulli për Teutën, Vllaznia “blindon” Evropën! Ngec vetëm Laçi

Teuta vazhdon të ruaje kryesimin të paktën edhe për një javë, pasi mori 3 pikë të arta në transfertën me Kastriotin.

Durrsakët mposhtën ekipin e Kastriotit në transfertë, me rezultatin e ngushtë 1-2, me gola të Vilës dhe Bregut.

Teuta kryesuese arriti ta zhbllokonte ndeshjen në fundin e pjesës së parë, kur Lorenco Vila bëri një lëvizje të bukur dhe me një gjuajtje të fortë e mposhti portierin Hidi. Me fillimin e pjesës së dytë Dejvi Bregu ishte ai që ndëshkoi krutanët, të cilët u kundërpërgjigjën me një gol të bukur të Emir Rezit. Gjithsesi Kastrioti nuk ia doli dot ta shmangte humbjen.

Vllaznia rikthehet te fitorja në kampionat pas 3 javësh dhe e bën këtë në mënyrën e saj me një fitore minimale 0-1 ndaj Bylisit në Ballsh në një ndeshje ku mallakastriotët kishin nevojë urgjente për pikë. Vendosi gjithçka një gol i Albion Avdijajt me Vllazninë që blindoi pozitat e saj në zonën europiane dhe zhyti akoma më shumë Bylisin në fund të tabelës së renditjes.

Nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola Laçi në shtëpinë e tyre përballë Skënderbeut. Ekipi i Shpëtim Duros dështon sërish të mposht korçarët duke humbur terren në raport me rivalët në garën për titull, me kreun që është pesë pikë larg por as prezenca në Europë nuk është tashmë e sigurt.