zoom

Aktualitet

Armando Beqiri u vra nga një vajzë shqiptare në Islandë

Rreth një javë më parë u ekzekutua me një pistoletë me silenciator, shqiptari Armando Beqiri në Islandë.

Kjo vrasje është parë si një sfidë e madhe për autoritetet islandeze pasi autori nuk ka lënë gjurmë ndërsa viktima nuk ka pasur të shkuar kriminale. Së fundmi media në Reikjavik lidhur me ekzekutimin mafioz që tronditi vendin, ka shkruar se dyshohet se Armando Beqiri u vra nga një shqiptare.

Deri tani janë arrestuar 10 persona, me origjinë nga Shqipëria, Lituania, Islanda, Estonia, Rumania, Portugalia dhe Spanja. Disa jetojnë në Islandë dhe të tjerët jo, mes të arrestuarve janë dy gra. Mediat në Islandë theksojnë se bazuar te informacionet nga hetuesit dyshimet janë se armën për vrasjen e shqiptarit e shkrepi pikërisht një bashkëkombës i tij.

Megjithatë, ky është një version ende i pakonfirmuar mbi fakte dhe nga autoritetet. Një prej shtetasve shqiptarë, pasi u mor në pyetje nga autoritetet në Islandë, u la i lirë ndërsa vijojnë hetimet për 9 personat e tjerë. Në qeli deri tani ndodhen 9 persona nga 7 shtete.

Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës (13 shkurt) në hyrje të shtëpisë duke u qëlluar me të paktën 5 plumba. I riu nga Tepelena la pas gruan e tij shtatzënë dhe një djalë të vogël, të cilët ishin në shtëpi kur ai u qëllua.

EKZEKUTIMI

Një 33-vjeçar me origjinë shqiptare mbeti i vrarë javën 8 ditë më parë në Rauoageroi të Islandës. Mediat vendase bëjnë me dije se ai është Armando Beqiri me origjinë nga Shqipëria. I ndjeri shkoi në Islandë në dhjetor të vitit 2014 dhe pasi mësoi gjuhën, u njoh me një femër dhe u martua, me të cilën pati një fëmijë dhe priste një të dytë. Ai kishte marrë nënshtetësinë islandeze dhe kishte hapur një biznes atje.

Beqiri ishte gjithashtu një mbështetës i fortë i ekipit kombëtar islandez. Pak para mesnatës, Armando parkoi makinën e tij në garazh dhe në të njëjtën kohë kur po ecte për te dera e përparme, besohet se nga një makinë që i ishte afruar shtëpisë së tij, u qëllua me 5 plumba duke i shkaktuar vdekjen. Plumbat e goditën 33-vjeçarin në shpinë, qafë dhe kokë. Në vendin e ngjarjes, Armando u gjet i shtrirë në gjak dhe u dërgua në spital ku u shpall i vdekur në “Landspítali” menjëherë pasi mbërriti atje.

Një shtetas lituanes rreth të 40-tave është dërguar në paraburgim dhe besohet të jetë autori i krimit të rëndë. Dy ditë më parë, tre persona u arrestuan në një shtëpi verore dhe u zhvendosën në Reikjavik. Nuk thuhet nëse ata janë dëshmitarë të çështjes apo dyshohen për pjesëmarrje në vrasje. Mediat vendase shkruajnë se krimi dyshohet të ketë ndodhur për larjes hesapesh.

SHQIPTARI

Lajmi i ekzekutimit të 33- vjecarit shqiptar ka shkaktuar reagime të mëdha në një shtet të qetë si Islanda. Shtypi vendas e ka pasqyruar gjerësisht ngjarjen e rëndë, teksa hetuesit po përpiqen të kuptojnë arsyet e saj.

Artikujt e shumtë tregojnë se si Armando Beqiri kishte mbërritur nga Greqia e kishte sakrifikuar mjaft, duke arritur ne fund të ambientohej më së miri në vendin ishullor. Ai kishte mësuar gjuhën e vështirë islandeze, e ishte bashkëpronar i një biznesi, një kompani sigurie fizike, që po njihte mjaft sukses. “Armiqtë e tij në Rauoageroi, vend ku edhe jetonte, thuhet se ishin të paktë, madje mund të numëroheshin me gishtat e dorës”, theksohet në njërin prej shkrimeve.

I riu nga Tepelena ishte larguar nga Shqipëria drejt Greqisë në vjeshtën e vitit 2012. Pak më shumë se dy vjet më vonë, në ditën e Krishtlindjes, zbarkoi në Islandë, një vend me të cilin u dashurua. Ai u vra pak pasi parkoi makinën dhe po i drejtohej hyrjes së banesës së tij. Gruaja shtatzënë dhe djali 15 muajsh ishin brenda.

Beqiri është qëlluar disa herë me plumba në shpinë, qafë dhe kokë. Fqinjët nuk kanë dëgjuar krisma, ndaj mendohet se për vrasjen është përdorur armë më silenciator.