zoom

Slider

Albin Kurti, kryeministër. Të gjithë emrat e qeverisë së re të Kosovës

Nga orët e paraditës dhe deri në orët e mbrëmjes të hënën e 22 marsit, salla e Kuvendit të Kosovës ka qenë arenë e zhvillimeve intensive. Aty janë mbajtur sot  dy seanca, në të cilat fillimisht është konstituar legjislatura e tetë e Kosovës, është zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit e po ashtu është votuar edhe Qeveria e re, e cila do të udhëhiqet nga Albin Kurti.

Seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila filloi rreth orës 10:00, e udhëhoqi deputeti më i vjetër në moshë i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari.

Para fillimit të kësaj seance në sallën e Kuvendit u paraqitën deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje të veshura me të bardha, ndërkaq Glauk Konjufca para se të zgjidhej kryetar i Kuvendit të Kosovës si duket i la anash përplasjet politike në mes partive, pasi u pa duke u përshëndetur me disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Deputetet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje / Foto: Ridvan Slivova
Po ashtu edhe Vjosa Osmani është afruar afër deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën shihet duke biseduar me kryetarin e kësaj partie Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala dhe Anton Quni.

Deputetët e legjislaturës së tetë të Kuvendit pasi u betuan, votuan gjatë të hënës edhe për kryetarin e tyre, Glauk Konjufcën i cili u zgjodh me 69 vota për dhe 33 kundër.

Në sallë të pranishëm ishin 113 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës votuan kundër zgjedhjes së Konjufcës.

Xhavit Haliti është i vetmi deputet nga Partia Demokratike e Kosovës që ka votuar pro zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca / Foto: Ridvan Slivova
Haliti në një deklaratë për Telegrafin ka treguar arsyet se pse ka votuar pro zgjedhjes së tij.

“S’kam bërë një vepër heroike e as tradhti kombëtare. Ne duhet të flasim e të bashkëpunojmë në politik-bërje, veçanërisht tani në sfidat që na presin. Përderisa i takon VV-së pozita e Kryetarit të Kuvendit me Kushtetutën e Kosovës përse të mos e votoj unë nëse elektorati i ka votuar”, deklaroi ai.

Nënkryetar të Kuvendit u zgjodhën Saranda Bogujevci, Bedri Hamza dhe Kujtim Shala, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Bekim Arifi nga komunitetet jo shumicë.

Pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës dhe betimit të deputetëve për legjislaturën e VIII-të të Kuvendit të Kosovës, kryetari i ri i sapo zgjedhur, Glauk Konjufca mbajti një fjalim para deputetëve.

Deputetët e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës / Foto: Ridvan Slivova
Në fjalën e tij ai është zotuar se Kryesia e re e Kuvendit do t’i kryejnë detyrat sipas ligjeve.

Siç tha ai do të jetë kryetar i barabartë i të gjithë deputetëve.

Konjufca pastaj pranoi zyrtarisht detyrën e kryetarit të ri të Kuvendit dhe ushtruesit të detyrës të presidentit nga Vjosa Osmani.

Osmani tha se Konjufca është deputet shembullor, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, Konjufca ka falënderuar Osmanin për kontributin dhe ka thënë se është i bindur se shumë shpejt ajo do të zgjidhet presidente e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se presin nga Lëvizja Vetëvendosje që sa më shpejt të formojnë qeverinë e re, ndërsa tha se nuk do ta votojnë për presidente Vjosa Osmanin.

Hoxhaj në një prononcim për media tha se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë marr mandatin nga zgjedhjet e 14 shkurtit për formimin e institucioneve të reja, mirëpo siç u shpreh ai nuk do të pranojnë të votojnë një kandidatë ose kandidate për president/e për interesat e tyre personale.

Pasi morën detyrën, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca kërkon propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, kërkesë kjo e cila mori përgjigje për një kohë të shkurt, ku LVV-ja ia ktheu letrën Konjufcës duke i kërkuar të thërras seancën e jashtëzakonshme, e cila nga Kryesia e Kuvendit u caktua për në ora 17:00.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës / Foto: Ridvan Slivova
Para fillimit të seancës, deputeti i LDK-së Arben Gashi ka thënë se nuk e votojnë Qeverinë Kurti, pasi Albin Kurti është i dënuar dhe dënimi i tij akoma nuk ka kaluar.

Sipas tij, nuk mund të votojnë një qeveri kur ka dyshime për kushtetutshmërinë e dekretit të nxjerrë nga u.d. së Presidentit, pasi një qeveri është rrëzuar pikërisht sepse një deputet ka qenë i dënuar për vepër penale.

Kandidati për Kryeministër, Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës dhe kabinetin qeveritar para deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Mandatari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është zotuar se qeveria e tij do të jetë e ndryshimit pozitiv për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Foto: Ridvan Slivova
Ai në foltoren e Kuvendit, duke prezantuar ekspozenë e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se pandemia COVID-19 do të jetë prioriteti numër një i qeverisë së tij, më pas drejtësia, punësimi, zhvillimi ekonomik dhe reformimi në arsim.

“Pandemia sfida kryesore, pa humbur kohë do të dalim me plan për masa të reja dhe do të synojmë vaksinimin e 60 për qind të popullsisë. Do të vazhdojmë vettingun për të vendosur drejtësi. Edhe arsimi do të riformohet”, tha Kurti.

Kabineti i Qeverisë Kurti 2 / Foto: Ridvan Slivova
Qeveria Kurti 2 pritet t’i ketë 15 ministri, tre zëvendëskryeministra. Pesë prej tyre janë gra.

Ai prezantoi edhe Kabinetin Qeveritar:

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi

Ministër i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati

Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukuturës, Liburn Aliu

Ministër i Bujqësisë, Faton Peci

Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se nga Qeveria e ardhshme pret që vendi të ketë zgjidhje për çdo problem dhe çështje të cilën Vetëvendosje e kishin ngritur si opozitë.

Në seancën ku pritej votimi i Qeverisë së re të vendit, Abdixhiku i cili është zgjedhur edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se Vetëvendosja ka fituar shumicën, po jo të tërën.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku /Foto: Ridvan Slivova
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në seancën e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Kurti 2, i ka thënë kandidatit për kryeministër Albin Kurtit se e ka detyrë të jetë kryeministër i gjithë qytetarëve dhe të krijojë stabilitet në vend, por qasja për ta zgjedhur sot qeverinë pa e zgjedhur presidentin po tregon se vendi po hyn në një fazë të re të jostabilitetit dhe për një gjë të tillë barrën duhet ta bartë vet ai.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj / Foto: Ridvan Slivova
Kurse, Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe mandatari për kryeministër Albin Kurti po shpalos qasje autoritare dhe tentim të dominimit.

Deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq ka thënë se nuk e mbështesin Albin Kurtin për kryeministër, teksa ka paralajmëruar se do të ankohen në Gjykatë Kushtetuese pasi ky i fundit nuk i ka dhënë dy ministri pakicave serbe.

Ndaj kësaj deklarate të Simiqit ka reaguar deputetja e radhëve të minoriteteve, Emilija Rexhepi. Ajo ka thënë se asnjë parti të minoriteteve nuk i takojnë më shumë se një ministri në rast se nuk i kanë të paktën 12 deputetë.

“Lirisht mund ta dërgoni në Kushtetuese por nuk keni bazë”, ka thënë ajo.

Përfundimisht, Kuvendi i Kosovës, me 67  vota për dhe 30 vota kundër, ka votuar përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Qeveria Kurti 2 është votuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur sot menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së tetë.

Pas votimit të Qeverisë Kurti 2, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dalur nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Menjëherë pas votimit të Qeverisë së re, ata kanë lëshuar sallën, pa e pritur betimin e kabinetit qeveritar.

Pas zgjedhjes në postin e kryeministrit, në fjalën e tij para deputetëve dhe kabinetit qeveritar në Kuvend, Albin Kurti tha se pritjet e qytetarëve janë të mëdha, andaj sipas tij edhe përgjegjësia e kabinetit qeverisës është e madhe.

Kurti tha para deputetëve se “këto zgjedhje ishin historike, po aq historike është edhe përgjegjësia”.

Ai tha se duhet koordinim dhe konsensus sa i përket Serbisë, veçmas dialogut politikë me këtë shtet.

Ndërkaq sapo u votua Qeveria Kurti 2, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti pas votimit të qeverisë së re i është adresuar mediave.

Kryeministri i derisotshëm është shprehur se me rastin e dorëzimit të detyrës, Kurtit do t’ia dorëzojë edhe informacionet lidhur me proceset që ka drejtuar ai duke qenë në krye të ekzekutivit.

Ndërkaq, në anën tjetër Kurti mori urime nga ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë e Italisë për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen kryeministër, teksa edhe mediet botërore raportuan për këtë ngjarje.

Ndryshe, tri ministri të Qeverisë Kurti 2 pritet të drejtohen nga komunitetet në Kosovë, njërën prej të cilave do ta udhëheqë Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Kurse dy ministri do të drejtohen nga kandidatët e listës së Vjosa Osmanit, Donika Gërvalla ministre për Punë të Jashtme dhe zëvendëskryeministre ndërkaq Faton Peci, ministër i Bujqësisë.

Pritet që mëngjesin e së martës Avdullah Hoti t’ia dorëzojë detyrën e kryeministrit, Albin Kurtit. /Telegrafi/