zoom

Aktualitet

Alarmuese! Databaza socialiste me patronazhistë, “Transparency International”: Thyerje e besimit publik

Organizata ndërkombëtare “Transparency International” bëri thirrje për hetime të shpejta mbi skandalin e databazës me të dhëna personale të votuesve, e cila dyshohet se i përket Partisë Socialiste, duke e konsideruar çështjen “alarmante”.

Autoritetet e Shqipërisë duhet të hetojnë pa vonesa për të përcaktuar nëse partia në pushtet mori të dhëna personale të votuesve nga regjistrat e qeverisë dhe SPAK duhet të hetojë me urgjencë nëse kjo parti abuzoi me burimet shtetërore për sigurimin e një fitoreje në zgjedhjet parlamentare të së dielës, deklaroi organizata “Transparency Internacional” në një njoftim për shtyp të enjten.

Deklarata e Transparency vjen pas skandalit të zbuluar fillimisht nga Lapsi.al që sugjeron se Partia Socialiste ka identifikuar në një databazë secilin prej 910 mijë votuesve të Qarkut Tiranë duke i përcaktuar secilit prej tyre një patronazhist, ndërsa databaza është e plotësuar me të dhëna personale, përfshirë numrat e telefonit, vendet e punës apo mënyrat se si qytetarët kanë votuar në të shkuarën, apo nëse kanë votuar apo jo. Sipas Transparencës, shënimet në databazë sugjerojnë se aty mund të ketë prova të frikësimit të votuesve apo abuzimit me burimet shtetërore, fenomene këto që cënojnë besimin te zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Daniel Eriksson, Drejtori Ekzekutiv i Sekretariatit të Transparency International tha se dështimi për ta hetuar çështjen do të “hedhë një hije mbi zgjedhjet e së dielës.”

“Gjatë viteve të fundit ne kemi parë një tendencë alarmuese të vjeljes së të dhënave personale për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Nëse vërtetohet akuza se partia në pushtet ka mbajtur një databazë të përbërë nga informacione personale dhe private të marra në mënyrë ilegale për 910 mijë votues, kjo do të përbëjë jo vetëm thyerje të të dhënave por edhe thyerje të besimit publik,” deklaroi ai.

“Është e pakuptueshme se si zyrtarët e qeverisë kanë nënvlerësuar seriozitetin e këtyre zbulimeve,” shtoi ai. “Dështimi për të hetuar dhe dënuar keqbërjet do të hedhë hije dyshimi mbi ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Ne i bëjmë thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë të mbajnë shënim këto probleme si pjesë e vlerësimit të tyre,” deklaroi Eriksson.

Dhunimi i të dhënave personale dhe ndjekja e çdo votuesi nga një patronazhist është përshkruar si një praktikë normale pune nga politikanë të ndryshëm socialistë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj ndërsa konsiderohet si “alarmuese” nga Transparency International dhe një praktikë që cënon rëndë themelet e shtetit të së drejtës nga vëzhgues të ndryshëm.

BIRN zbuloi se ushtria e patronazhistëve që ka emrat në databazë, arrin në mbi 9 mijë vetë dhe se shumë prej tyre rezultojnë punëmarrës në shumë institucione publike, përfshirë policinë dhe ushtrinë, institucione që e kanë të ndaluar me ligj të merren me politikë.