zoom

Aktualitet

Akuzohet se lejoi mbjelljen e drogës, një tjetër kryebashkiak i PS merret i pandehur nga SPAK

Një tjetër zyrtar i lartë vendor socialist në dyert e drejtësisë për akuzë të rëndë.

Leonard Hida, kryebashkiaku socialist i Libohovës është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Hida dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

“Nisur nga të dhënat që disponohen nga shërbimet si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në njësitë administrative “Cepo” dhe “Picar”, krijojnë dyshime të arsyeshme se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie”, thuhet në dosje.

Kryebashkiaku mësohet se i ka mohuar akuzat. SPAK konstaton gjithashtu se:

“Ata kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”.

Në të njëjtën dosje me Hida janë edhe disa të pandehur të tjerë. Ngjarja bëhet fjalë se ka ndodhur rreth tre vite më parë. Hida është kryebashkiaku i 13-të i PS nën akuzë 8 vitet e fundit. /ZOOM.AL/