zoom

Aktualitet

Aksidenti me 3 viktima në Kashar, i riu kishte ardhur të takonte nënën, do ikte të jetonte …

Zbardhen detaje nga aksidenti tragjik, i ndodhur pas mesnatës së 4 marsit, në Kodër Kashar, ku humbën jetën tre persona. Viktima të aksidentit mbetën dy vëllezërit Ismail Sulaj, 66 vjeç, dhe Belul Sulaj, 63 vjeç, kushërinj të shoferit, si dhe Dashamir Dema, 50 vjeç, kushëri i viktimave dhe shoferit.

I vetmi që shpëtoi nga aksidenti i rëndë ishte shoferi i mjetit, 20-vjeçari Zija Stefanescu (Murati). Ky i fundit ndodhet në spital, pasi mbeti i plagosur rëndë, ndërsa ndaj tij është kërkuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Prokuroria. Mësohet se 20-vjeçari Zija Stefanescu (Murati) është i martuar me një rumune, me të cilën ka dhe një djalë.

Siç raporton për News24, ai kishte ardhur në Shqipëri të takonte nënën e tij, sepse do të merrte shtetësinë rumune dhe do të zhvendosej për të jetuar atje. Kushërinjtë e tij e kishin marrë në telefon dhe i kishin kërkuar që të shkonte t’i merrte me makinë. I riu kishte shkuar në lokal, ku kishte qëndruar pak me kushërinjtë dhe më pas ishin kthyer, ku dhe ka ndodhur aksidenti fatal. Makina e aksidentit i përket vjehrrit të të riut, që është shtetas rumun.