zoom

Aktualitet

Aksident në Rrogozhinë, humbin jetën 2 persona/ Një prej viktimave po shkonte në punë

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Rrogozhinë. Mësohet se tre automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë kanë ndërruar jetë dy persona. Po kështu kanë mbetur të plagosur tre të tjerë, mes tyre dhe një fëmijë.

Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Durrësit dhe sipas informacioneve të para janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Një prej viktimave që humbi jetën në vend ishte oficeri i burgjeve, shtetasi me iniciale T.M., 54 vjeç, ndërsa rrugës për në spital mbeti e pajetë dhe një grua, pasagjere në mjetin tjetër.

Mësohet se 54-vjeçari T.M. po shkonte në punë mëngjesin e sotëm, teksa ka dalë nga rruga dhe ka kaluar në korsinë tjetër duke u përplasur me një makinë.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë shpejtësia dhe lagështia në rrugë.