zoom

In Zoom

Aeroporti i Tiranës, miliona euro fitime nga taksa 10 euro për pasagjer. A do reagojnë autoritetet?

Kompania shqiptare që ka marrë me koncesion Aeroportin e Tiranës po e nxjerr investimin e kryer shumë herë më shpejt sesa ishte përllogaritur në kontratën që ajo firmosi me shtetin shqiptar për ta shtyrë afatin e koncesionit.

Fitimet, në tre vitet e para të operimit, janë kolosale: 30 milionë euro në vitin 2021, 45 milionë euro në vitin 2022 dhe afro 70 milionë euro të përllogaritura në vitin 2023.

Një ditë më parë, përfaqësues të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës deklaruan se e mbyllën vitin me 7.5 milionë pasagjerë. Duke pasur në konsideratë se aeroporti merr 10 euro taksë për çdo parasgjer mbi 12 vjeç, fitimet vetëm nga kjo taksë janë afro 70 milionë euro.

Kompania “Kastrati Group” e mori koncesionin e aeroportit nga kinezët duke pasur edhe 7 vjet afat për shfrytëzim. Por në bashkëpunim me qeverinë, “Kastrati” e shtoi edhe 13 vjet të tjera afatin e koncesionit, si nevojë për të kryer 100 milionë euro investime. Kjo kohë, sipas grupit sipërmarrës, do të nevojitej që të merrte mbrashpt investimin që do të kryente.

Investimi, në vitin e tretë, mendohet se është kryer në pjesën më të madhe. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare se sa është përmbushur kontrata. Ajo parashikonte zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, por në fakt kompania në vend të zgjerimit ka bërë vetëm ndarjen e terminalit në dy kate. Ekspertët e kontaktuar nga Zoom.al thonë se ndryshimi është i madh përsa i përket faturës financiare.

Tani, pjesë e rëndësishme e investimit ka mbetur zgjerimi i pistës, por edhe ajo ka kosto minimale në raport me 100 milionë eurot e deklaruara si nevojë investimi.

Pas pistës, për 17 vjet të tjera, nuk ka më investime të parashikuara. 17 vitet e ardhshme do t’i shërbejnë kompanisë koncesionare vetëm që të vjelë të ardhurat, të cilat, sipas parashikimeve për fluksin e udhëtarëve, do të jenë mbi 50 milionë euro çdo vit.

Në këto kushte, xhepat e koncesionarit do të vijojnë të fryhen, ndërsa shteti shqiptar do të ketë përfitime thuajse të njëjta si në kohën kur nga Rinasi kalonin 2 milionë pasagjerë.

Ekspertët thonë se qeveria do të duhet të rishikojë kushtet e kontratës, së pari duke ulur tarifën 10 euro për parasgjer që merr koncesionari.

Shembullin se rritja e aktivitetit dhe e përfitimeve do të duhet të përkthehet në ulje të kostove për qyetarët e dha 1 ditë më parë CEO i kompanisë low cost, Ryanair.

Ai deklaroi në Rinas se do të hiqte tarifën 2 euro për turistët. Koncesionari i Rinasit, – thonë ekspertët – do të duhet ta përgjysmonte në 5 euro tarifën, për shkak se ka tre ose katërfishuar përfitimet.

Në këtë realitet të ri të krijuar në Aeroportin e Tiranës, si një pasuri kombëtare, autoritetet shqiptar nuk reagojnë.

Kreu i Aviacionit Civil kërkoi rishikimin e kontratës me Kastratin

Mbështetur në këto shifra, “Zoom.al” ka analizuar disa herë nevojën e rishikimit të kontratës dhe domdosdoshmërinë e rinegociimit të saj. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe vetë kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj tha në një intervistë në media se masterplani i vjetër i aeroportit nuk është më funksional dhe duhet të krijohet një i ri.

“Trafiku i këtij viti ishte parashikuar për në vitin 2033. Që do të thotë se masterplani nuk ekziston më dhe duhet të punojmë për masterplanin e ri” deklaroi Ethemaj duke shtuar se do të duhet që të gjendet zgjidhje nëse do të ketë nevojë për shtesë terminali apo për terminal të ri.

Kastrati premtoi zgjerimin e kapaciteteve të aeroportit që kur u bë ‘pronar’ i tij në 2021-shin, por nuk ndodhi.

Pavarësisht premtimit për investim që kapte shifrën 100 milionë euro, fluksi i këtij viti e gjeti aeroportin të papërgatitur. Për këtë arsye, ky i fundit njoftoi udhëtarët se duhej të paraqiteshin tre orë para fluturimit, nga dy orë që është standardi normal kudo në botë.

Gjithsesi, miliona pasagjerët që udhëtuan këtë vit nëpërmjet Rinasit nuk ishin edhe aq surprizë. Që vitin e shkuar qeveria thoshte se Shqipëria është tashmë një destinacion turistik global dhe ardhja e turistëve në 2023-shin do të dyfishohet.

Fitimet marramendëse të kompanisë “Kastrati”

Nga të dhënat e siguruara nga “Zoom.al”, kompania më fitimprurëse është “Tirana International Airport”, koncesioni që Kastrati e ka marrë për 20 vjet. Xhiroja Vjetore rezulton të jetë 69.7 milionë euro.

Kompania e dytë në radhë përsa u përket fitimeve është “Kastrati Group sha” që zotëron pjesën më të madhe të tregut të hidrokarbureve. Ajo ka bërë një xhiro vjetore prej 786.3 milionë eurosh dhe ka fituar 14.8 milionë euro.

Vendin e tretë për të ardhurat e zë kompania e siguracioneve, “Albsig”. Të dhënat tatimore tregojnë se ajo ka bërë një xhiro vjetore prej 26.1 milionë eurosh dhe ka sjellë 2.5 milionë euro fitime.

Një tjetër koncesion zë vendin e katërt në listë. Bëhet fjalë për portin e mallrave “MBM” në Porto Romano. Nga 7.1 milionë euro xhiro, ka fituar 1.4 milionë euro.

Albanian Aviation Managment, që lidhet me koncesionin e Aeroportit të Tiranës duke ofruar shërbime të operimit dhe menaxhimit të aeroportit, është në vendin e pestë. Kjo kompani ka një xhiro vjetore prej 2.4 milionë eurosh dhe një fitim prej 1.7 milionë eurosh.

Një tjetër koncesion qëndron në krye të listës përsa u përket fitimeve të “Grupit Kastrati”. Bëhet fjalë për traun e vendosur në Rrugën e Kombit. Albanian Higëay Concession ka sjellë 594 mijë euro fitime për Kastratin, nga një xhiro prej 9.2 milionë eurosh.

“Kastrati Group” zotëron drejpërdrejtë apo indirekt edhe kompani të tjera, si Tenet, Continental Group, Auto Star Albania, Albsig Jetë, Kastrati Hotels & Tower, Kast & Gas, Albania Gas Tech, Adriatic Bay Investment Group, International Real Ivestment, Kastrati Aviation Holding, KST Advertising, Mak Albania, Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë, Marina Limioni, Marina Bay Saranda, Kastrati Construction apo New Global Investment Solution.

AEROPORTI I TIRANËS, BIZNESI I ARTË I “KASTRATI GROUP”

“Tirana International Airport”, siç rezulton nga shifrat e mësipërme, përbën aktivitetin më fitimprurës të “Kastrati Group”.
Kastrati e bleu koncesionin e Aeroportit në dhjetor të vitit 2020, për 71 milionë euro nga kompania “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.

Në atë kohë, kontrata kishte edhe 7 vjet afat. Por qeveria Rama vendosi t’ia shtyjë kontratën koncesionare Kastratit edhe për plot 13 vjet të tjera, duke e çuar në 20 vjet, me justifikimin se këto vite do t’i duheshin për të kryer disa investime në vlerën e 100 milionë eurove dhe për të marrë mbrapsht fitimin.

Por shifrat e fitimeve të marra në 2021 dhe 2022 dhe parashikimet për vitin 2023 po tregojnë që shtyrja e kontratës ishte e panevojshme, duke shtuar dyshimet se ajo është bërë vetëm për interesa të kompanisë “Kastrati Group”.

Me një mesatare prej 25 milionë eurosh fitim në vit, për 7 vitet e mbetura të kontratës “Kastrati” do të fitonte 175 milionë euro. Pas shlyerjes së 70 milionëve që shpenzoi për blerjen grupi do të kishte arkëtuar 105 milionë fitime neto.

Në 13 vitet e kontratës që i shtoi qeveria Rama fitimet përllogaritet të jenë në vlerën e të paktën 500 milionë eurove.

Kompania koncesionare, sipas kontratës së miratuar me ligj të posaçëm në paralment, do të duhet të kryejë 100 milionë euro investime. Investimet parashikonin ndërtimin e një terminali të ri, por në vend të kësaj Kastrati ka ndarë në dysh terminalin ekzistues. Investimi, sipas disa ekspertëve të kontaktuar nga Zoom.al nuk i tejkalon 35 milionë eurot në tërësi.

Por edhe nëse do të kishte kryejë realisht 100 milionë euro investime, 20 vitet e kontratës përkthehen në 500 milionë euro fitime, nëse fitimi vjetor do të përllogaritet në 25 milionë euro në vit, referuar vitit 2022.

Por viti 2022 nuk ishte më i miri për Aeroportin e Tiranës. Ai regjistroi afro 5.2 milionë pasagjerë, ndërsa këtë vit shifra përllogaritet në afro 7 milionë. Kështu që fitimi pritet të jetë më i lartë.

Shifrat e fitimeve do të duhej të ishin pjesë e një kronike të zakonshme ekonomike, por për shkak se bëhet fjalë për një kontratë koncesionare, ato hedhin ngrejnë të forta mbi arsyet e kohëzgjatjes së kontratës koncesionare me 20 vjet. /ZOOM.AL/