zoom

In Zoom

Abi Bank, një çështje inati që çoi në burg klientin e saj 

Tërheqjet e shpeshta të parave nga Ilir Thana në sportelet e Abi Bank u ranë në sy drejtuesve të bankës. 

Thana, që po merrte paratë e kompensnimit për një pronë, i kishte dhënë Ministrisë së Financave llogarinë e motrës së tij. Aty po i kalonin paratë për kompensimin dhe ai po i tërhiqte vazhdimisht në sportel, në shuma të ndryshme. 

Arsyeja se përse nuk kishte dhënë llogarinë e tij, ishte fakti se Thana i kishte bankës 20 mijë euro boxh për një kredi të pashlyer. 

Por në të gjitha tërheqjet nga llogaria të të motrës, Thana vinte firmën e tij. Pasi konstatoi firmat, Abi Bank, si për hakmarrje që Thana po tërhiqte para në sportelet e saj, por nuk po i paguante kredinë, iu drejtua prokurorisë.

Ajo e kallëzoi klientin e saj për disa vepra penale që nuk kishin të bënin me mosmarrëveshjet për shlyerjen e kredisë. 

“Nëse do të kishte ndjekur procedurat për të marrë paratë e saj, banka nuk kishte pse t’i drejtohej prokurorisë”, tha për Zoom.al një ekspert i kredive në një prej bankave më të mëdha në vend. “Ajo është një çështje civile që zgjidhet mes palëve ose në gjykatë po si çështje civile, por jo penale”, shtoi ai.

Por në vend që të kërkonte zgjidhjen në mënyrë civile dhe të ndiqte mënyrat ligjore për të marrë paratë e saj, Abi Bank zgjodhi një rrugë të shkurtër për ta dëmtuar klientin e saj.

Ajo i ngarkoi atij akuza penale të mashtrimit apo të fshehjes së pasurisë, duke e detyruar prokurorinë e Tiranës të hetojë. 

Hetimi i prokurorisë,  pa asnjë lidhje me mosmarrëveshjet mes Abi Bank dhe klientit të saj, zbuloi një vjedhje që po i bëhej shtetit. 

Sipas prokurorisë, Ilir Thana, me ndihmën e përmbaruesit Alban Ruli kishte mundur të merrte nga Ministria e Financave 1.2 milionë euro si shpërblim për shpronësimin e një magazine. 

Hetimet e prokurorisë konkluduan se Thana ishte shpronësuar një herë dhe se pagesa e dytë që po merret nga Financat ishte në shkelje të ligjit. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës lëshoi një udhër arresti edhe për dy zyrtarë të Ministrisë së Financave, Sekretarin e Përgjithshëm Arlind Gjokutaj dhe Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse Fatmir Hoxha, të akuzuar se kishin shpërdoruar detyrën. U arrestua edhe përmbaruesi Alban Ruli. 

Zyrtarët dhe përmbaruesi, së bashku me Ilir Thanën që është në burg prej tetorit 2022, i kanë mohuar akuzat dhe kanë nisur betejën ligjore. 

Në përfundim të procedurave që çuan në 4 arrestimet, Abi Bank, nga ku nisi hetimi, nuk përfitoi asgjë përsa i përket çështjes së hapur të borxhit prej 20 mijë eurosh me klientin e saj, përveçse me inatin për mosshlyerjen e kredisë e dëmtoi atë në mënyrën më të rëndë të mundshme.  

Kredia mbetet e pashlyer për aq kohë sa Ilir Thana do të jetë në burg dhe po ashtu edhe nëse gjykata do të vendosë që shpërblimi ka qenë i padrejtë e ai duhet t’i kthejë paratë shtetit, pasi Abi Bank nuk rrugë tjetër ligjore për t’ia marrë borxhin, përveçse përmes një procesi tjetër gjyqësor, tërësisht civil. /Zoom.al