zoom

Aktualitet

A u asfiksuan prej klorit? Flet punonjësi i pishinës së hotelit në Qerret: 4 rusët më kërkuan…

Është zbardhur dëshmia e punonjësit të pishinës në hotel “Gloria” në Qerret, ku u gjetën të vdekur katër turistë rusë.

Ai ka deklaruar se turistët i kishin kërkuar hotelit që të bëhej gati zona e SPA-së, që ata të shplodheshin kur të ktheheshin nga Maqedonia e Veriut pas një vizite që kishte zgjatur disa orë.

Ndërsa ai ka treguar se më parë e kishte larë pishinën me klor që të dezinfektohej më mirë.

“Pishina ka qëndruar e mbyllur për afro një javë. Një natë më parë turistët kanë kontaktuar hotelin dhe kanë kërkuar që të bëhej gati zona e SPA, që ata të shplodheshin pasi të ktheheshin nga vizita disa orëshe në Maqedoni të Veriut. Në orët e para të mëngjesit të së premtes kam larë pishinën, zbrazur gjithë ujin dhe e kam larë me furçë, kam përdorur klorin për ta dezinfektuar dhe e kam bërë gati, që ta përdornin turistët,” u shpreh ai.

Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të zbulojë më shumë detaje në lidhje me këtë ngjarje.

Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e të premtes, rreth mesnatës, ku viktima janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.