zoom

Aktualitet

“A ndihesh e frikësuar nga hetimet e SPAK” – Olta Xhaçka: Jo! As unë, as bashkëshorti

Ish-ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se as ajo, as bashkëshorti i saj Artan Gaçi nuk janë të frikësuar nga drejtësia për hetimet për falsifikim dokumentesh të pronës, që Gaçi bleu për investim, duke bashkëpunuar me ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goron.

Xhaçka tha përballë Grida Dumës në “Top Story” se nuk kanë frikë sepse dikush nuk mund të mbajë përgjegjësi për një veprim të ndodhur në vitin 1994, për të cilin nuk kishin dijeni.

Duma: Ndihesh e frikësuar?

Xhaçka: Jo, sepse përmes këtij linçimi po më duket se mbaj një barrë, që nuk më takon ta mbaj. Ndoshta nuk tingëllon mirë kur them “po çlidhje kam unë? Ç’lidhje ka bashkëshorti im sesi është regjistruar kjo pronë në 1994?: Ky procedimi i SPAK duket sikur po mbron një njeri të pushtetit për të mbyllur vrimat e një gjëje që dihej se ishte me cen? Jo nuk është kështu. Nuk jam e frikësuar, as unë dhe as bashkëshorti im sepse nuk e dinim si janë ndarë AMTP në 1994.

Ish-ministrja Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro dhe një banor i Dhërmiut u kallëzuan në SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Në kallëzim thuhet se këta persona në bashkëpunim me këshillin e qarkut dhe zyrën e pasurive të paluajtshme në Vlorë, në mars të vitit 2019 kanë falsifikuar dokumente pronësie mbi një sipërfaqe toke në fshatin Gjilekë të Bashkisë së Himarës, në shkelje të hapur të ligjit të tokës dhe ligjeve të tjera mbi pronat.

Sipas kallëzimit, këto falsifikime dokumentesh janë kryer për të siguruar blerjen e kësaj toke nga ish deputeti Gaçi, i cili mori statusin e investitorit strategjik./ Zoom.al