zoom

Ide & Blog

A janë propozimet e PD-së ashtu siç i quan Preç Zogaj reformë kushtetuese?

Përtej ngasjes romantike për ta parë nismën e fundit të Partisë Demokratike si një përpjekje për të realizuar më në fund vetingun e politikanëve, siç e lexojnë këtë nismë prej dëshirës së tyre të mirë disa emra të njohur e ndër ta edhe poeti im i preferuar Preç Zogaj, më duhet të them se lexuar me paanësi dhe ftohtë, ajo që po serviret si gjetja magjike për ta shpëtuar shoqërinë shqiptare nga depresioni, siç u shpreh pak a shumë disa ditë më parë edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, është vetëm një sajesë që t’i shtojë debatit për ndryshimet në Kushtetutë, të cilat Partia Socialiste i ka kthyer në lojën e vet të preferuar, edhe një vatër tjetër apo edhe një përbërës më shumë.

Por, ndërsa Partia Socialiste ka gjetur si arsye të propozimit të vet zgjatjen e kohës së përkohshme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerit Publik, dy institucione të vetingut në drejtësi, të cilave iu mbaron koha e ushtrimit të detyrës në qershorin e vitit 2022, Partia Demokratike, meqë pa se u hap dera e ndryshimeve në Kushtetutë, nxitoi të mos e humbë rastin dhe paraqiti edhe ajo disa propozime, të cilat përmbledhtas kanë të bëjnë; më përfshirjen në Kushtetutë të vetingut të politikanëve, me disa propozime formale për të ndryshuar ndryshimet e bëra para zgjedhjeve të 25 prillit nga Partia Socialiste me deputetët që kishin mbetur nga listat e PD-së dhe të LSI-së dhe për të rikthyer sërish komunat si njësi të qeverisjes vendore.

Parimisht nuk ka asgjë të keqe të ketë ide e propozime, qoftë edhe si këto të Partisë Demokratike, ani pse në vlerësimin tim ndërhyrjet në Kushtetutë e për më tepër ndërhyrjet e shpeshta dhe të improvizuara për interesa partiakë pothuaj në çdo stinë të vitit, janë dëshmi e papërgjegjshmërisë dhe e mungesës së seriozitetit të klasës politike ndaj vetë shtetit, ndaj ligjit themeltar të tij dhe ndaj institucioneve që burojnë nga Kushtetuta. Është kjo papërgjegjshmëri që shkon deri në kufijtë e marrëzisë, që ndryshimet e bëra prej viteve 2007 – 2008 e vit pas viti deri në muajt e fundit e kanë bërë Kushtetutën tonë një dokument pa strukturë, pa arkitekturë të hierarkisë së institucioneve, pa kontrollin dhe balancën mes pushteteve siç e kërkon domosdoshmërisht një shtet demokratik, dhe, edhe pa identitetin që lypset të ketë dokumenti më i rëndësishëm i shtetit.

Miku im, Preç Zogaj, mund të zgjedhë të konsiderojë vetingun e politikanëve si “njërën prej tri reformave kushtetuese të propozuara së fundi nga Partia Demokratike”, por unë mendoj se nuk ka të drejtë të na e shërbejë ne lexuesve të tij si të tillë, sepse në fakt nuk është kështu. Nuk jemi para propozimesh që të na prezantojnë ndonjë ide për reformë kushtetuese, e jo më për tri të tilla. Këtë as vetë Partia Demokratike nuk e pretendon. Ajo thjesht ka paraqitur tri propozime, pa pretenduar asnjë reformë të vetme e jo më tri reforma kushtetuese. Reforma Kushtetuese jo vetëm si koncept, por edhe si ndërmarrje, është krejt tjetër gjë e propozimet për ndryshim janë një gjë tjetër.

Për analogji me vetingun në drejtësi, PD propozon edhe vetingun për politikën si një aksion kushtetues, duke na lënë të kuptojmë se nuk e ka fare idenë se ku qëndron dallimi thelbësor mes pushtetit të politikanëve dhe pushtetit të gjykatësve dhe prokurorëve. Ideja që me vetingun e politikanëve të merret SPAK-u, pra, struktura e posaçme antikorrupsion, siç propozon PD, jo vetëm që nuk “është një ndryshim domethënës që e fut procesin në një hulli institucionale të arsyeshme, në respekt të ndarjes demokratike të pushteteve”, siç shprehet zoti Zogaj, por është një provë lajthitjeje, sepse prokurori është institucion kushtetues që ka për detyrë ushtrimin e ndjekjes penale dhe Kushtetuta ia ndalon të merret me hetime administrative, sikundër propozon PD.

Por, më shumë se kaq, Reforma në Drejtësi ka për subjekt gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët janë në ato detyra përgjatë gjithë jetës së tyre derisa dalin në pension, ndërsa politikanët që kryejnë detyra të larta shtetërore, në mënyrë periodike çdo katër vjet shkojnë në “vetingun” e votuesve e gjykohen prej tyre me votë. Prandaj ligjvënësi, pra, Kuvendi, ka krijuar edhe me kontributin e madh të vetë Partisë Demokratike, institucione të tjera për vlerësimin, gjykimin dhe ndëshkimin e politikanëve.

Ligji për dekriminalizmin, ligji për deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, ligji antimafie e të tjerë janë të mjaftë e shterrues për të realizuar atë që quhet edhe për populizëm vetingun e politikanëve. Deri tani kjo nuk ka ndodhur se vetë politika që i emëronte gjykatësit dhe prokurorët nuk ishte e interesuar t’i linte ata që të ishin të pavarur prej politikanëve e t’i hetonin apo gjykoni ata.

Ndaj u iniciua Reforma në Drejtësi dhe vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, si procesi më i rëndësishëm i saj, për t’ia larguar duart politikës nga drejtësia, dhe që kjo e fundit, pra, drejtësia, tashmë e pavarur nga politika të mund të hetojë, gjykojë e kur është rasti edhe të dënojë cilindo politikan të këtij vendi, pavarësisht postit që mban në hierarkinë shtetërore. Është një e vërtetë e madhe që ligji nuk është zbatuar e ndër politikanët ka shumë që përfliten si të korruptuar, por, kjo nuk është arsye qe t’i turremi Kushtetutës e ta arnojmë atë a thua se kështu e zgjidhëm problemin.

Pse duhet vënë në Kushtetutë çështja e vetingut të politikanëve, kur në fakt kjo është çështje vullneti e jo problem i Kushtetutës? Duke qenë çështje vullneti, palët politike kanë në dorë jo të bëjnë pazar në kurriz të Kushtetutës, por të vendosin në vendin që i takon autoritetin e ligjit, të forcojnë rolin e institucioneve që kanë për detyrë zbatimin e tij e të kthejnë besimin e qytetarëve te ligji dhe institucionet.

Prandaj grupimet politike që përfaqësohen në Kuvend duhet të kenë parësor angazhimin e tyre real për dëshmuar vullnet në zbatimin e ligjit, e përmes zbatimit të ligjit nga organet që e kanë për detyrë, të përmbushet edhe nevoja jetike e pastrimit të politikës prej të korruptuarve, pra, të realizohet ai që quhet vetingu i politikanëve. Ndërsa propozimi tjetër i PD-së për të rikthyer edhe komunat si njësi administrative të qeverisjes vendore është një propozim grotesk.

Jo vetëm sepse në kuptimin formal gjuhësor janë e njëjta gjë si fjala komunë dhe fjala bashki, veç me ndryshimin se komunë është fjalë e huazuar nga një gjuhë e huaj dhe bashki është fjalë e gjuhës shqipe, por synon që të ndajë me ligj fshatin nga qyteti e të krijojë disa zona apo territore që të mund të përdoren pastaj politikisht.

Është tjetër gjë nevoja për të rishikuar ndarjen territorialo-administrative e për ta sjellë atë në standarde sa më funksionale. Por kjo nuk është punë komunash dhe bashkish, kur në vlerësimin tim edhe kaq bashki sa janë, janë më shumë nga sa duhet të jenë në të vërtetë. Meqë në krye të këtyre radhëve iu referova poetit Preç Zogaj e prej shkrimit të tij mora shtysë të shpreh disa mendime në lidhje me propozimet e bëra nga PD për ndryshime në Kushtetutë, jam i një mendjeje me të kur thotë se “reformat e mëdha prevalojnë”. Por që të prevalojnë, e para duhet të kemi realisht propozime për reforma. E mandej le të jenë edhe propozime për reforma të mëdha apo të rëndësishme.