zoom

Aktualitet

A i kanë në dorë hakerat të dhënat e CENS? Reagon INSTAT

Instituti i Statistikave reagoi sërish pas njoftimit të hakerave të “Homeland Justice” se pas sulmit kanë arritur të kopjojnë edhe të dhënat e grumbulluara gjatë CENS-it të popullsisë dhe banesave.

Njëjtë si një ditë më parë, INSTAT këmbëngul se të dhënat e CENS-it nuk janë objekt i sulmit dhe se ato nuk janë dëmtuar.

“Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë. Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme”, njofoi INSTAT.

Deri në rikthimin e faqes në normalitet, Instituti i Statistikave do t’i publikojë informacionet e tij në rrugë alternative komunikimi.

“INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it [email protected] dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook.
INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur. INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT”, përfundoi njoftimi i INSTAT.

Një ditë pas sulmit, vetë celula iraniane e “Homeland Justice” njoftoi publikisht shqiptarët se disponojnë mijëra materiale në Terrabyte dhe që janë të dhënat e CENS-it, duke akuzuar INSTAT se po fsheh të vërtetën.

Postime të lidhura