zoom

In Zoom

A e financon Kastrati “Foltoren” e Sali Berishës?

“Do t’i kërkoj ndjesë gjithë demokratëve që do duhet t’i kthej përgjigje një kolegu nga opozita. Prita në fakt që të fliste për çmimin e naftës, po drejtonte gishtat lart e poshtë, por nuk përmendi cili është oligarku i naftës. Dil atje dhe fol për Çet Kastrati n po ta mbajti, se ai i përfiton abuzimet me çmimet e naftës, por s’ke guxim ti ta përmendësh.

Kjo sfidë që Gazmend Bardhi i lëshoi Flamur Nokës mbeti pa përgjigje. Asnjë nga deputetët demokratë që ndjekin Sali Berishën nuk shkoi ta ngrejë dorashkën e hedhur mu në mes të parlamentit për një prej njerëzve më të besuar të Berishës. Akush, në mesin e opozitës nuk e artikulon dot emrin e një prej njerëzve që ka më shumë lidhje e biznese me qeverinë Rama, Shefqet Kastratin.

Edhe kur është folur për çmimin marramendës të naftës, Kastrati është evituar nga berishistët, edhe pse ai është groisti kryesor i hidrokarbureve në vend, me një zotërim të afro 75 përqind të tregut.

Edhe kur Gazmend Bardhi ka denoncuar me fakte se si qeveria Rama ka arritur të ndryshojë një ligj me anë të një VKM-je për të legalizuar 5 kate pa leje të pallatit që ka ndërtuar Kastrati buzë Lanës, në kryqëzim me rrugën e Elbasanit, askush nga demokratët berishistë nuk e mbështetën.

Edhe kur Sali Berisha ka folur për kontrabandën e naftës, ai nuk ka guxuar ta përmendë Kastratin, ndonëse ai është akuzuar në media për kontrabandë.

Heshtja e berishistëve u jep më shumë zë dyshimeve të hedhura se Kastrati mund të jetë financuesi kryesor i foltores së Berishës. Dhe deri tani zërat nuk janë hedhur poshtë nga PD.

Gazmend Bardhi i shtoi më shumë dyshimet kur iu përgjigj Flamur Nokës për akuzat se ai dhe Basha u kanë vënë gjobë oligarkëve, duke denoncuar hapur miqësinë e Nokës me Kastratin.

“Kujt i paskam vënë gjobë unë me denoncimin për katet shtesë pa leje në 14 Korrik në parlament? i kam vendosur gjobë Shefqet Kastratit, mikut të Flamur Nokës? Meqë falet çdo javë te lala i Edi Ramës, le ta pyesë a i kam vendosur gjobë!  Nuk habitem që Flamur Noka është shqetësuar nga denoncimi që i kam bërë paligjshmërisë së Kastratit të Edi Ramës me Kullën përballë Partisë Demokratike. Nuk habitem as nga porosia që i kanë dhënë për të shpifur ndaj meje”, tha Bardhi.

Denoncimi i tij shkoi më tej kur tha se Berisha u ka kërkuar demokratëve të tij të bashkojnë votat me Edi Ramën për të mos hetuar “investitorët strategjikë”.

“Nuk ke guxim të përmendësh asnjë nga ata oligarkë që ajo që ti e quan “fake-opozita” i denoncon çdo ditë. E dyta, merri leje doktorit dhe dil sqaro demokratët pse keni dhënën urdhër që të bashkoheni sot me socialistët, që të bllokoni Komisionin për Investimet Strategjike. Dil dhe shpjegoja, pse ka nis Sali Berisha mesazh që të bëheni bashkë me Edi Ramën”, tha ai në parlament (shih videon më poshtë).

Mediat i kanë kërkuar vazhdimisht Berishës të bëjë transparencën për financimin e “Foltores”.

Berisha është pyetur drejtpërdrejt, por është shmangur. Zoom.al po publikon një pjesë të debatit që ai pati me gazetarët në një studio televizive.

Berisha: Shko merrini shpenzimet e Kuvendit. Kërkoni organizatorët, kërkoni Flamur Nokën dhe të merrni çdo qindarkë. Absolutisht, çdo qindarkë.

Mejdini: Sa ka kushtuar Kuvendi?

Berisha: Ka kushtuar… Një çmim është paguar për qiranë e stadiumit, prej 8 mijë e ca euro ose 10 mijë, nuk e mbaj mend mirë. Skena dhe LED-i, mund të ketë kushtuar 10-20 mijë euro. Dhe kjo është fatura e gjithë Kuvendit.

Mejdini: Po fatura e Foltores në të gjithë Shqipërinë, dhe kush i paguan të gjitha këto?

Berisha: Fatura e Foltores a e di sa ka kushtuar. Përveç 3-4 salla, të gjithë kanë qenë gratis. Gratis nga kryetarët e bashkive. Janë pallate kulture për aktivitete shoqërore dhe politike. Ka pasur raste ku kanë qenë salla private, është paguar private.

Vangjeli: Kryetarët e bashkive të Edi Ramës i bie kanë financuar foltoret e Berishës, do thoshte Lulzim pulla.

Berisha: Në 30 vite, nuk ka njeri që të mos ketë gjetur një sallë për të bërë një aktivitet.

Por a qëndron vërtet Kastrati pas këtyre shpenzimeve të Foltores? Sali Berisha duhet të shprehet qartë, pa u shmangur, për të hequr çdo dyshim. Sepse nëse rezulton që ai financohet nga një prej klientëve kryesorë të qeverisë Rama që ai kërkon të rrëzojë, e gjithë kauza e tij do të rezultojë false. Sepse një qeveri, sado e korruptuar të jetë, nuk mund të rrëzohet nga një opozitë që ushqehet me paratë saj, nëpërmjet klientëve që i përfitojnë me koncesione e PPP. /Zoom.al