zoom

Politikë

A duhet të legalizohet kanabisi në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama u ka drejtuar ndjekësve të Facebook-ut, pyetjen e radhës për të dhënë përgjigje për referendumin e qeverisë me 12 pyetje, atë sa i takon legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?”.

Kjo është pyetja e Ramës e postuar së fundmi në rrjetet sociale.

Pyetja shoqërohet edhe me sqarimin:

Kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime.

“Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, duke klikuar si vijon https://keshillimikombetar.al/#LeTëDëgjojmëNjëriTjetrin”, shkruan kryeministri në faqen zyrtare në Facebook.