zoom

Bota

A doli nga laboratori i Wuhan-it? Origjina e Covid-19 përplas ashpër SHBA-në dhe Kinën

Presidenti Joe Biden u kërkoi agjencive në SHBA që brenda 90 ditësh të grumbullojë prova për të dalë në një përfundim në lidhje me origjinën e koronavirusit.

Dy janë skenarët, i pari nëse virusi vjen nga kontakti njerëzor me një kafshë të infektuar dhe i dyti nëse virusi ishte pasojë e një aksidenti laboratorik.

Dhe për skenarin e daljes nga një laborator, gishti është i drejtuar nga Kina. Por kërkesa e SHBA-së për një tjetër investigim për origjinën e Covid-19 ka shkaktuar zemërim te Kina.

Ministria e Jashtme thekson se Uashingtoni po përdor teorinë e laboratorit për të mbuluar dështimet e veta dhe për të njollosur shtetin kinez.

“Ekspertët ndërkombëtarë folën mirë për transparencën e Kinës në shumë raste. Sidoqoftë, disa në Shtetet e Bashkuara po bëjnë një sy qorr ndaj fakteve, shkencës, studimit për origjinën dhe reagimit inkompetent në shtëpi duke kërkuar investigim shtesë në Kinë. Kjo tregon që SHBA-ve nuk iu interesojnë faktet apo e vërteta dhe ka zero interes në studimet për origjinën të bazuara në shkencë serioze. Synimi i tyre është që ta përdorin pandeminë për të na njollosur, manipulim politik dhe tjetërsim të fajit. Ata nuk kanë respekt ndaj shkencës”, tha Zhao Lijian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.