zoom

Politikë

A do të garojë Tom Doshi në zgjedhjet e 25-prillit? Ja vendimi që mori KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep “ok” për miratimin e Tom Doshit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në mbledhjen e sotme, KQZ ka vendosur regjistrimin e listës shumëemërore të Partisë SocialDemokrate, përfshirë këtu edhe atë të deputetit Doshi, me arsyetimin se nuk kanë gjetur asnjë shkelje.

“Të gjitha ato që kërkohen në dokumentacion janë në përputhje. S’ka kusht që ndalon kandidimin e Tom Doshit, s’kemi shkelje,“-tha Celibashi gjatë fjalës së tij në mbledhje.

Tom Doshi ka qenë në qendër të deklaratave nga Ambasada Amerikane. Vetë ambasadorja amerikane Yuri Kim ka kërkuar me emër moskandidimin e tij në këto zgjedhje, por me anë të një manovre ligjore, duke ndryshuar emrin e kryetarit, Doshi është në fushatë për 25 prillin. Ai do të garojë në dy qarqe, Tiranë dhe Shkodër.

Disa ditë më parë, një investigim i bërë nga “31 minuta”, një projekt i financuar nga SHBA zbuloi se Doshit i është ndaluar hyrja dhe në Australi si dhe i është revokuar viza, pasi Ministria e Brendshme atje, e cilëson si të padenjë për të kaluar testin e karakterit.

Megjithatë problematikat e ngritura nga Kim dhe SHBA nuk janë marrë parasysh nga KQZ, institucion që ka vendosur se Doshi do të marrë pjesë në zgjedhje më 25 prill. Ndërkohë që ende deri më tani nuk ka një reagim nga ana e ambasadës, lidhur me vendimin e marrë për Doshin.