Aplikacion
Publikisht Ambasadorja tha se Bashën e pa të nevojshme ta takonte, duke qenë se sapo ishte kthyer nga Uashingtoni. Tha gjithashtu se PD është në tranzicion, se nuk mund të mbajë një këmbë në të shkuarën dhe i përçoi një mesazh të drejtpërdrejtë Sali Berishës duke i thënë se “kushdo që përpiqet ta vendosë PD kundër SHBA, gabon rëndë”.
Mesazhin e jepte pasi tha se në Uashington kishte pasur takime te Departamenti i Drejtësisë, veç Departamentit të Shtetit, pjesë e të cilit është edhe vetë si diplomate amerikane. Se cili ka qenë qëllimi i takimeve në Departamentin e Drejtësisë nuk dha më shumë detaje, por në këtë Departament depozitohen dosjet e shtetasve të shpallur “non grata” nga SHBA, së bashku me akuzat e ngritura ndaj tyre. Një prej këtyre dosjeve e ka edhe Sali Berisha.
Këto ishin ato që shqiptoi, por Ambasadorja Kim nuk foli vetëm me fjalë. Si diplomate, ajo foli edhe me mesazhin e përcjellë përmes çantës ngjyrë bezhë që mbante në krah. “Ambicie, respekt, punë në ekip”, shkruhej në atë çantë.
A ishte përzgjedhja e kësaj çante vetë rastësi? Me shumë mundësi që jo! Në varësi të temave që diskutohen dhe bashkëbiseduesit që kanë përballë, diplomatët shquhen se pjesën kryesore të mesazheve i çojnë përmes kodit të veshjes, ngjyrave, e aksesorëve që zgjedhin.
Për më tepër, Yuri Kim u shfaq me të njëjtën çantë që i shkoi Lulzim Bashës në zyrë së bashku me ndihmëssekretarin e Përkohshëm për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker në qershor të këtij viti. Në atë kohë, vizita në selinë e PD me atë çantë mbërrinte pak pasi DASh kishte shpallur “non grata” Sali Berishën dhe i kërkohej Partisë Demokratike që të shkëputej prej tij.
Me të njëjtën çantë, Kim është shfaqur edhe në një takim me Kryeministrin Edi Rama në maj të 2020-s, kur jepte ultimatum për arritjen e një konsensusi për reformën zgjedhore. Vizita i parapriu marrjes kokë më kokë të katër pjesëmarrësve në Këshillin Politik dhe firmosjen e marrëveshjes së famshme të 5 qershorit.
E njëjta çantë rishfaqet tani, pasi Kim u kthye nga Uashingtoni. Kujt i drejtohet dhe cili është nënteksti i këtij mesazhi? Qytetarëve shqiptarë me siguri që nuk i drejtohet. Për ta ambasadorja e përçoi mesazhin me fjalë.
Me të, Ambasadorja Kim duket se shfaqet sa herë që situata politike në Shqipëri është e tensionuar, ndaj mund të thuhet se është “çanta e krizave të politikës shqiptare”. Po mesazhi? Me “Ambicie”, Ambasadorja ndoshta fton politikanët shqiptarë që të kenë më shumë ambicie për ta çuar Shqipërinë përpara, për të çuar reformat përpara dhe për të pasur guximin për të ndërmarrë vendime e reforma të tjera të vështira.
Me “Respekt”, mesazhi i përcjellë mund të jetë që e gjithë beteja e përplasja politike të zhvillohet brenda kornizave të respektimit të njëri-tjetrit, por mbi të gjitha të respektimit të aleatëve, që i kanë qëndruar dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë Shqipërisë në momentet më të vështira.
“Puna në ekip” është mesazh më i drejtpërdrejtë e më i thjeshtë. Përmes tij, Ambasadorja kërkon që politika e të dyja krahëve të punojë si një ekip i vetëm kur bëhet fjalë për interesat e qytetarëve dhe të Shqipërisë./ Gazeta Shqip