zoom

Bota

Dhëndri “braktis” nusen e re në përpjekjen për t’u larguar nga Kabuli

Afgano-amerikani Haseeb Kamal u martua vetëm një ditë para se Kabuli të binte nën kontrollin e talebanëve. Gjatë largimit të tij mes kaosit nga Afganistani, bashkëshortja si dhe shumica e familjes së tij mbetën pas.

Çarja e turmës është ajo që Haseeb Kamali mban mend më shumë.

“Dukej sikur po merrte fund bota, ashtu dukej”.

Ai ishte në Portën Abbey në aeroportin e Kabulit, kur u nda nga anëtarët e familjes së tij.

Vite më parë, Kamal ishte përkthyes i forcave amerikane në Afganistan. Ai u largua nga vendi i tij me një Vizë Imigruese Speciale në vitin 2014 dhe u bë shtetas amerikan. Por dikush e thirri përsëri në Afganistan këtë vit.

“Jam i lumtur që e gjeta atë”.

Kamali u martua më 14 gusht. Të nesërmen Kabuli ra në duart e talebanëve. Ai e dinte që të gjithë duhej të largoheshin.

Ai dhe familja e tij kaluan nëpër pikat e kontrollit në portën e aeroportit, duke u treguar marinsave amerikanë pasaportën e tij amerikane. Por vetëm tre do të kalonin.

“Fillova të shtyja motrën në mes të turmës dhe u thosha njerëzve ‘Hej, ajo është e sëmurë mund të lëvizni, ju lutem?’”

Gjatë rrugës ata panë fëmijë të lënduar dhe shkopinj që përdoreshin si armë. Kujtime që tani kanë filluar të prekin Bibi Sara Kamalin, e cila ishte në vitin e fundit të fakultetit të mjekësisë.

“Vëllai ishte pas meje. Ne uleshim për t’u shpëtuar goditjeve me shkopinj. Kishte shumë fëmijë të lënduar, ose të goditur në fytyrë. Disa prej tyre kishin vdekur të shkelur nga turmat”, thotë Bibi Sara Kamal për Zërin e Amerikës.

Bibi Sara kaloi portën dhe hyri në aeroport. Po kështu edhe Kamali dhe babai i tyre.

Disa orë më vonë, ata hipën në një avion transporti C-17, për në Katar.

Atje qëndruan tre ditë pa dush dhe pa ndërruar rrobat. Nga Katari, ata fluturuan për në Ramstein të Gjermanisë, dhe më në fund hipën në një avion për në Aeroportin Ndërkombëtar të Dallasit në Virxhinia.

Udhëtimi i tyre nëntë ditor ka përfunduar, por Kamali është i përhumbur që ka lënë pas nënën, vëllezërit, motrat dhe nusen e re.

“Kisha një mision. Të nxirrja familjen time dhe dështova. Sinqerisht jam vërtetë shumë i shqetësuar”.

Edhe në Shtetet e Bashkuara, familja Kamal është ende e ndarë. Babai i tyre është një orë larg, në Fort Lee, ku procesi i vettingut do të zgjasë tre javë.

Babai i tyre nuk ka dokumenta. Ai është kolonel në pension me ushtrinë afgane, por shkatërroi çdo provë për t’u fshehur nga talebanët.

“Edhe uniformat e tij i zhdukëm, unë e ndihmova t’i digjte të gjitha”, thotë Haseeb Kamal.

Ndërsa vëllai dhe motra fillojnë jetën amerikane, Kamali e di se familja e tij do të jetojë një jetë shumë më ndryshe.

“Do të thoja se nuk ka të ardhme për Afganistanin”, thotë Haseeb Kamali.

Ai flet në telefonon me nusen gati tre herë në ditë. Ata i premtuan njëri-tjetrit se do të ishin bashkë përjetë, dhe tani Kamali pyet veten kur do të jenë në gjendje të fillojnë atë jetë të re./ VOA