zoom

Bota

Shishe të kontaminuara! Japonia pezullon përdorimin e 1,63 milionë dozave të vaksinës Moderna

Autoritetet japoneze njoftuan pezullimin e përdorimit të rreth 1,63 milionë dozave të vaksinës Moderna, pasi u gjet kontaminim në shishet e papërdorura, duke ngritur shqetësimin për mungesën e furnizimit, teksa vendi përpiqet të përshpejtojë vaksinimet mes rritjes së rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19).

Ministria e Shëndetësisë tha se kontaminimi u raportua nga vende të shumta vaksinimi. Disa doza mund të jenë administruar, por nuk është raportuar për asnjë efekt negativ shëndetësor deri më tani, thanë zyrtarët.

Prodhuesi japonez i ilaçeve, Takeda Pharmaceutical Co, përgjegjës për shitjen dhe shpërndarjen e vaksinës në Japoni, tha se vendosi të pezullojë përdorimin e dozave të prodhuara në të njëjtën linjë prodhimi si masë paraprake sigurie.

Ajo kërkoi nga Moderna të kryente hetim urgjent dhe u tha institucioneve mjekësore dhe organizatorëve që të ndalonin përdorimin e vaksinës së prodhuar në Spanjë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Takeda nuk dhanë detaje mbi llojin e kontaminimit ose nëse dozat në fjalë mund të jenë shpërndarë jashtë Japonisë.

Problemi i vaksinës Moderna u shfaq pikërisht teksa Japonia lufton me rritjen e numrit të infeksioneve, ku rastet e reja ditore kanë arritur nivele të larta në shumë pjesë të vendit, duke rënduar seriozisht sistemin e kujdesit shëndetësor.

Japonia është mbështetur tërësisht në vaksinat e zhvilluara jashtë vendit si Moderna, Pfizer Inc. dhe AstraZeneca.

Rreth 43 përqind e popullsisë japoneze është vaksinuar plotësisht, me doza të administruara ditore prej rreth 1 milion.