zoom

Aktualitet

Ndryshim planesh/ Avioni i parë me afganë mbërrin nesër në Kosovë

Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë pritet të mbërrijë të djelën rreth orës 19 në aeroportin e Prishtinës. Mësohet se bëhet fjalë për pak më shumë se 100 persona, që kanë punuar si kontraktorë të Natos të cilët do të jenë së bashku me familjet e tyre.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur ndonjë informatë shtesë për vendstrehimin e tyre por kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2 mijë qytetarë afganë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një numër afganësh që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.