zoom

Bota

Bëri 6 vjet në burgun më të sigurt të SHBA-së, talebanët e emërojnë ministër të Mbrojtjes

Talebanët kanë emëruar Mullah Abdul Qayyum Zakir si ministër të Mbrojtjes të vendit. Qayyum Zakir është një ish-i burgosur në Guantanamo, burgu më i sigurt i Shteteve të Bashkuara për kriminelët e profilit të lartë.

Lajmi se talebanët e kanë emëruar Mullah Abdul Qayyum Zakir si Ministër të përkohshëm të Mbrojtjes të Afganistanit u raportua nga Al Jazeera, e cila citoi një burim të brendshëm.

Një komandant veteran, Mullah Abdul Qayyum Zakir ishte një ndihmës i ngushtë i Mullah Mohammad Omar, themeluesit të talebanëve. Zakir u arrestua nga forcat amerikane gjatë përmbysjes së talebanëve në 2001.

Zakir u lirua në vitin 2007, gjatë presidencës së George W Bush, pasi iu tha zyrtarëve amerikanë se nuk ka ndërmend të kthehet në fushëbetejë.

Megjithatë, sapo u largua nga burgu, ai drejtoi operacionet në Helmand, përpara se emërohej si komandanti më i lartë i talebanëve.

Zakir është një mik personal i Ismail Qani, kreu i grupit elitë Quds në Iran dhe prej tij ai është furnizuar me armët më moderne.

Sipas agjencisë së lajmeve Alarby, Zakir ishte në krye të forcave talebane kur ata hynë në pallatin presidencial në Kabul.