zoom

Bota

Historia rrëqethëse e nënës në Afganistan: Talebanët i trokitën 3 herë në derë, të katërtën e vranë

CNN ka treguar fatin që pësoi një nënë e katër fëmijëve vetëm sepse refuzoi që të gatuante për talebanët pasi nuk i kishte mundësitë.

Talebanët trokitën për të 4-tën herë radhazi në derën e një nëne të katër fëmijëve në një fshat të vogël në Afganistanin verior dhe i kërkuan që të gatuante ushqim për 15 luftëtarë.

Vajza e Najias, Manizha, 25 vjeç, e dinte që ata do të vinin, nëna i kishte thënë se kishin bërë të njëjtën gjë tre ditë më parë kur i kërkuan që të gatuante për të paktën 15 luftëtarë.

“Nëna ime u tha atyre: ‘Unë jam e varfër, si mund të gatuaj për ju? Nëna ime u rrëzua dhe ata filluan ta rrihnin dhe godisnin me armët e tyre – AK47′”, tha e bija e së ndjerës.

Manizha tha se ajo u bërtiti luftëtarëve të ndalonin. Ata u ndalën për një moment para se të hidhnin një granatë në dhomën tjetër dhe të iknin ndërsa flakët përhapeshin. Për fat të keq, gruaja ndërroi jetë nga dhuna fizike.

Ky sulm tragjik tregon qartë nivelin e rrezikut që kanoset mbi gratë në Afganistan tashmë që talebanët kanë kontrollin e vendit. Për personazhet e këtij artikulli, CNN ka përdorur pseudonime për të mbrojtur identitetin e tyre.