Aplikacion
Ndryshimet tashmë janë evidente. Talebanët zëvendësuan programet në TV, me ato fetare, duke hequr tërësisht serialet turke dhe ato indiane, dhe duke hequr reklamat, madje edhe në programin e njohur komercial Tolo, i cili deri vonë ishte shfaqur edhe si reality show.
Shumë dyqane u mbyllën, megjithëse talebanët u kërkuan njerëzve të ktheheshin në punët e tyre, duke lënë vetëm disa furra buke të hapura.
Udhëheqësit talebanë vizituan të gjitha pikat kryesore në qytet, përfshirë një spital ku ata kërkuan që infermierët të vazhdonin punën. Tani për tani, ata kanë lënë Ministrin e Shëndetësisë, një nga të paktët ministra që nuk iku me ish-Presidentin Ghani të Dielën.
“Gratë gazetare në Afganistan nuk kanë mbështetje. Kemi frikë nga talebanët, nëse na gjejnë, do të na vrasin. Nëse rastësisht na lënë të gjallë, nuk do të na lejojnë të punojmë. Nuk do të kem asgjë për të jetuar, jetoj vetëm”, tha një gazetare që është në arrati.
Gratë qëndruan në shtëpi të hënën nga frika se mos rriheshin nëse nuk mbuloheshin ose sepse ishin jashtë të pashoqëruara. Javët e fundit, ka pasur raste të tilla në pjesë të Afganistanit tashmë të pushtuara nga talebanët, si dhe martesa të detyruara për luftëtarët talebanë.
Edhe pse talebanët nuk kanë shpallur ende ndonjë rregull të ri për banorët e Kabulit, ata kanë përdorur megafonë nga xhamia duke deklaruar se gratë duhet të veshin burka ose hixhab.
Shumë gra në Kabul as nuk kanë burka, pasi ka kaluar shumë kohë që kur e veshën për herë të fundit.